Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar 36% rritje
Avokati i Popullit ka reaguar kundër rasteve të dhunës në familje, numri i të cilave është rritur në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.
Institucioni që mbron të drejtat e njeriut ka thënë se duhet kushtuar vëmendje edhe nevojës së mbështetjes financiare për gratë të cilat zhvendosen në strehimore.
Avokati i Popullit ka theksuar rëndësinë që viktimat e dhunës në familje të qëndrojnë në ambiente të sigurta dhe larg dhunës.
Gjithashtu, thuhet se ato duhet të jenë në ambiente të mbrojtura nga infektimi me Covid-19.
Avokati i Popullit përkujton institucionet shtetërore se ato duhet të mbeten të obliguara ndaj detyrimeve të tyre për t’u ofruar viktimave mbrojtje të përshtatshme dhe të menjëhershme nga rreziku i dhunës.
“Avokati i Popullit tërheq vëmendjen te detyrimi i shtetit ndaj standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për të ushtruar kujdesin e duhur për të parandaluar, hetuar, ndëshkuar dhe për të siguruar dëmshpërblim për veprat e dhunës, në përputhje me detyrimet e tyre sipas Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”, thuhet në reagim.
Avokati i Popullit u bën thirrje qytetarëve që të mos rezultojnë me përdorimin e asnjë lloji të dhunës kundër familjarëve të tyre, e sidomos kundër kategorive më të cenuara, siç janë gratë, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, në muajin mars të vitit 2019 janë raportuar 124 raste, ndërsa gjatë muajit mars 2020 janë raportuar 169 raste.
Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar 36% rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.