Numri i partive politike që pritet t’i hyjnë garës zgjedhore
Derisa vendi pritet së shpejti të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas caktimit të datës për mbajtjen e një seance ku pritet të bëhet shpërndarja e Kuvendit, zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus numrin e partive politike që mund t’i hyjnë garës zgjedhore.
Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dje kanë vendosur që me datën 22 gusht të këtij viti të mbahet seanca parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit. E kjo ka bërë që menjëherë subjektet politike të nisin përgatitjet për t’i hyrë garës zgjedhore.
Angazhimet e partive kanë nisur pasi bazuar në dispozitat ligjore e kushtetuese, nëse Kuvendi do të shpërndahet më 22 gusht, atëherë duhet jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë, të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Kështu sipas një llogaritje zgjedhjet e përgjithshme pritet të mbahen në fund të muajit shtator apo në fillim tetorit.
Zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se është numër i madh i partive politike që aktualisht janë funksionale në Kosovë.
Madje zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se përveç 52 subjekteve që aktualisht janë funksionale, tani kanë aplikuar edhe parti të reja për t’u regjistruar.
“Aktualisht në Kosovë si parti politike funksionale, janë të 52 sosh. Ndërkaq në fazën e regjistrimit janë edhe 3 parti të reja”, ka thënë Elezi për FaktePlus.
Kështu, të gjitha këto parti politike të vetme apo edhe të bashkuara në koalicione pritet t’i hyjnë garës zgjedhore pas certifikimit në KQZ dhe të kërkojnë votat e qytetarëve për të marrë një mandat të ri në Kuvend e Qeveri.
Nga KQZ kanë treguar se në zgjedhjet e përgjithshme që janë mbajtur në muajin qershor të vitit 2017, kanë qenë të certifikuara 26 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet, si dhe disa koalicione e nisma.
“Në këtë garë po ashtu kanë qenë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 Nisma Qytetare. Ndërkaq sa i përket numrit të kandidatëve në zgjedhjet e vitit 2017, kanë qenë 971 kandidatë të certifikuar për t’u bërë deputetë”, ka thënë për FaktePlus, zëdhënësi Elezi.
Se të gjitha partitë politike janë bërë gati për zgjedhje e tregon më së miri edhe shlyerja e borxheve. Si rrallë herë, ende pa u caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, partitë politike i kanë shlyer borxhet prej qindra mijëra euro që u janë shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë zgjedhjeve të kaluara.
Shlyerja e borxheve në PZAP është e domosdoshme, pasi në bazë të ligjit aktual në fuqi, asnjë subjekt politik në Kosovë nuk mund të garojë në zgjedhje, nëse nuk paguhen gjobat e shqiptuara për zgjedhjet paraprake nga PZAP-ja.
Kështu, tani mbetet të shihet vetëm nëse subjektet politike do të garojnë të vetme në zgjedhje, apo do të lidhin koalicione parazgjedhore.
Kujtojmë se shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës po vjen disa ditë pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak se ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Haradinaj dorëheqjen e ka arsyetuar duke thënë se nuk mund të shkoj në Hagë me postin e kryeministrit./FaktePlus