Numri i madh i pacientëve me Covid-19/ Sallat e operacioneve punojnë me kapacitete të përgjysmuara
Nga dita e martë, pacientët të cilët janë të konfirmuar pozitiv me Covid, dhe janë të intubuar ose me CPAP, janë duke u trajtuar edhe në intensivën e improvizuar në objektin e Mjekësisë Sportive në QKUK.
Ky vendim i SHSKUK-së erdhi pas numrit të madh të pacientëve të hospitalizuar në Klinikën Infektive, Pulomologjisë dhe atë të Dermatologjisë.
Javët e fundit mbi 100 persona me koronavirus janë të shtrirë në këto klinika, shkruan IndeksOnline.
Vetëm sot, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë të shtrirë 111 raste me Covid-19 pozitiv.
66 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.
Në repartin e Mjekimit Intensiv të kësaj klinike janë duke u trajtuar 6 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 4 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë.
Në objektin e Mjekësisë Sportive, njësinë intensive, janë të shtrirë 5 pacientë, njëri nga ta i intubuar dhe 4 të tjerë më CPAP.
Në klinikën e Pulmologjisë janë të shtrirë 22 raste me COvid-19 pozitiv të cilët janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.
Për shkak të kësaj, sallat e operacionit janë duke punuar me kapacitete të përgjysmuara, por të gjitha janë funksionale.
Këtë e ka thënë për IndeksOnline, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Basri Sejdiu.
Sipas drejtorit Sejdiu, asnjë sallë operative nuk ka rënë nga programi.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar ju njofton se me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, sallat e operacionit janë duke punuar me kapacitete të përgjysmuara, andaj falë angazhimit maksimal nga Klinika e Anesteziologjisë dhe nga anesteziologët, asnjë sallë operative nuk ka rënë nga programi. Anesteziologët janë angazhuar në objektin e mjekësisë sportive dhe njësinë intensive në Klinikën Infektive dhe janë duke punuar maksimalisht”, ka thënë kreu i ShSKUK-së.