Numri i fëmijëve me autizëm është vazhdimisht në rritje
Sipas të dhënave të fundit nga shoqata të ndryshme dhe institucione edukativo-arsimore, numri i fëmijëve me autizëm është vazhdimisht në rritje. Se ky numër është në rritje e thotë edhe psikologia e Shoqatës “Autizimi”, Mendime Kosumi.
Ajo, për Radio Kosovën bëri të ditur se kjo shoqatë ka në trajtim 70 fëmijë dhe se kanë një listë të gjatë të pritjes se fëmijëve të cilët kanë nevojë për trajtim.
“Të gjitha të dhënat që i kemi nga shoqatat e ndryshme, psikiatërve dhe rekomandimeve që i marrim, vazhdimisht numri i fëmijëve me autizëm është në rritje. Duke u bazuar edhe në numrin që kemi në shoqatë tani kemi 70 fëmijë të cilët po marrin trajtim dhe po ashtu kemi një listë të gjatë e cila është në pritje për të marrë trajtim”.
Po ashtu, Kosumi tha se duke pasur parasysh kërkesat dhe nevojat që janë në rritje për ofrimin e shërbimeve, është shumë e nevojshme të ketë mbështetje më të madhe institucionale.
“Duke e pasur parasysh edhe rritjen e numrit të vazhdueshëm të fëmijëve me autizëm, kërkesat e vazhdueshme për përfshirjen në institucionet shkollore dhe parafillore, andaj kemi nevojë më shumë për asistentë dhe përkrahje më të madhe institucionale”.
Se numri i fëmijëve me autizëm është në rritje dhe se institucionet e kanë të vështirë plotësimin e nevojave për këtë kategori të fëmijëve e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën drejtoresha e Shkollës fillore të mesme të ulët “Ismail Qemaili” në Prishtinë, Mimoza Krasniqi.
“Në bazë të kërkesave dhe numrit të madh të nxënëseve të cilët vijnë, e që kanë nevoja dhe diagnoza të ndryshme, ne si staf nuk mund t’i përballojmë. Por, në bashkëpunim me prindërit të cilët i paguajnë asistentet me buxhetin e tyre, mbulohen disi, por një pjesë tjetër mbetet pa asistentë”.
Në Kosovë fëmijët me autizëm trajtohen vetëm nëse ekzistojnë mundësitë financiare nga prindërit.
Statistikat botërore flasin se një në 68 fëmijë lind me autizëm, ndërsa në Kosovë nuk dihet saktë numri i tyre.