Nuk zgjidhet lëmshi i ujësjellësit në Dragash, lënda i shkon Anti-Korrupsionit
Nuk është punë t’i bëhet zgjidhje projektit për ujësjellësin që lidh 15 fshatra të komunës së Dragashit. Gjykata e Tenderëve, respektivisht Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) për të shtatën herë ka anuluar dhënien e tenderit dhe lëndën e ka kthyer në Ri-Vlerësim. Tenderi për këtë ujësjellës ka nisur që tre vite.
Krejt kjo zvarritje po ndodh për shkak se komuna e Dragashit nuk po përfill rekomandimet që po jepen nga OShP, e cila vlerëson se tenderi po u jepet kompanive që nuk po i përmbushin kërkesat e dosjes së tenderit.
Meqë për tri vite nuk po mund të zgjidhin lëmshin e tenderit të ujësjellësit, tani lënda i është dërguar edhe Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK).
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje tek AKK, por kjo e fundit nuk iu është përgjigjur pyetjeve rreth kësaj çështje.
Pasi disa herë u anulua tenderi për ujësjellës, OShP me qëllim dhe për të vërtetuar gjendjen reale ka autorizuar ekspertë të jashtëm teknik-arkitektë, për një super-ekspertizë.
Pas ekspertizës është konstatuar se operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë NPN “Alfa-Inf”&”Al-Trade” Sh.P.K., i mungojnë referencat dhe është i papërgjegjshëm.
“Pas shqyrtimit të shkesave të lëndës eksperti shqyrtues teknik, në super-ekspertizën e tij në faqen 27/29, ka konstatuar se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë NPN “Alfa-Ing”&”Al-Trade”Sh.P.K-Prizren, posedon kontrata pune dhe referenca pune në vlerë prej 2,225,644.41 euro, rrjedhimisht rezulton se për t’u trajtuar ky operator ekonomik si i përgjegjshëm duhet të kishte referenca edhe për 807,091.51 euro. Pra, këtij konsorciumi për vitet (2014,2015,2016) i mungojnë referenca në vlerë prej 807,091.59 euro”, thuhet në njërën ndër arsyetimet e OShP-së.
Derisa OShP thotë se komuna e Dragashit nuk i ka përfillur rekomandimet për dhënien e tenderit, i pari i kësaj komune, Shaban Shabani thotë se po bëjnë një gjë të tillë, por që nuk e kuptojnë pse OShP-ja po ua anulon tenderin.
Kryetari Shabani në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus tha se ka kërkuar nga komisioni që gjatë procesit të Ri-Vlerësimit të shikohen në detaje rekomandimet e OShP-së.
“Është për keqardhje sidomos për ne në komunën e Dragashit. Fatkeqësisht si rezultat i këtyre procedurave, 15 fshatra që tri vite mbesim pa ujë të pijes. Ne kemi një komision që është marrë me këtë çështje, e vlerëson dhe e kalon, por si duket OShP në vazhdimësi po e anulon. Me thënë të drejtën unë kam kërkuar edhe nga komisioni që të shikojë në detaje dhe në hollësi vlerësimin dhe sipas rekomandimeve të OShP-së të zgjidhet operatori. Ne jemi shumë të interesuar ta zgjidhim këtë operator dhe jemi shumë të hapur në këtë drejtim”, tha Shabani.
Edhe i pari i komunës së Dragashit ka pohuar se Agjencia Kundër Korrupsion është duke e shqyrtuar lëndën.
“Këtë lëndë ne e kemi dërguar edhe në Anti-Korrupsion, e që është duke e shqyrtuar. Ata do ta kenë një vlerësim, nuk di a do të japin ndonjë opinion apo nuk do të japin. Anti-korrupsioni ka kërkuar lëndën dhe ne e kemi dërguar lëndën ata do ta bëjnë një vlerësim, a japin koment a nuk japin, mbetët çështje e tyre”, tregoi kryetari Shabani.
Por eksperti shqyrtues në bazë të fakteve ka konstatuar se komisioni vlerësues nuk ka vlerësuar, ekzaminuar dhe krahasuar ofertat e operatorëve ekonomik pjesëmarrës në bazë të vendimit dhe dispozitave ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).
“Eksperti shqyrtues duke u bazuar në fakte të prezantuara në dokumentacionin që kam pranuar në shqyrtim, rrjedhën dhe analizën e procedurës së prokurimit (në këtë aktivitet të prokurimit) dhe katër (6) vendimeve të OShP-së, sqaron se komisioni I Ri-vlerësimit 6x nuk ka vlerësuar, ekzaminuar dhe krahasuar ofertat e operatorëve ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit dhe nuk ka respektuar vendimin 507/17 me datë 26.01.2018, duke mos vepruar në pajtim në tërësi me dispozitat ligjore të LPP-së. Prandaj, në bazë të analizës së mësipërme sqarojë se pretendimet e palës në ankesë janë të qëndrueshme”, thuhet ndër tjera në arsyetimin e OShP-së.
Kështu për të shtatën herë, paneli shqyrtues obligon komunën e Dragashit që gjatë Ri-Vlerësimit të ofertave të respektojë vendimet e OShP-së 507/17 të datës 26.01.2018, urdhëresën e OSHP-së 486/17, 504/18 të datës 17.10.2018 si dhe vendimin 641/17 të datës 03.01.2019.
Po ashtu, OShP e obligon Dragashin që t’iu përmbahet në detaje të gjitha dispozitave dhe kërkesave të dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë.
Sipas kontratës parashihet që të bëhet pastrimi i terenit dhe shënimi i trasesë=40604.34 metra, gërmimi i dheut të kat III-VIII-87705.37 metra kub, mbushja me dheun e imtësuar=63342.77 metra kub, blerja, transportimi dhe vënia në transhe e rërës=24362.60 metra kub.
Veç këtyre parashihen punët tokësore për gypsjellësin, punët e montimit të gypave: PE=100, PN=10 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN-16 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE=100, PN=20 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN=30 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN=40 bar dhe pjesëve lidhëse, si dhe punët e betonimit, si dhe punët elektrike./FaktePlus