Nuk zbatohet vendimi i ri për automjetet, s’ka matje të gazrave në Kosovë
Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për hyrjen në fuqi të zbatimit të “Pullës Mjedisore”, siç njihet ndryshe matja e shkallës së gazrave në vetura ka dështuar të zbatohet në praktikë.
Kjo për shkak se Qendrat e Kontrolleve Teknike të Automjeteve po refuzojnë të zbatojnë këtë vendim për identifikimin e ndotësve në vetura, shkruan FaktePlus.
Arsye për këtë refuzim sipas Ilir Begut, kryetar i shoqatës së Qendrave të Kontrolleve Teknike të Automjeteve (SHKTA), është vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës që qytetarët të mos paguajnë taksë shtesë gjatë kontrollimit teknik për regjistrim të automjetit.
Ai për FaktePlus ka thënë se shkaktar i këtij dështimi është Ministria e Infrastrukturës, e cila nuk iu është përmbajtur vendimit të saj.
“Për momentin është hequr kjo (Pulla Mjedisore), komplet d.m.th nuk kemi matje. Ministria e Infrastrukturës me një shkresë e ka kushtëzuar heqjen e pagesës, QAK-u ka vepruar sipas shkresës së Ministrisë. Kemi dërguar shkresë në Ministri, por nuk kemi asnjë përgjigje për momentin”, ka thënë Begu.
Kështu veturat e vjetra që konsiderohen se janë ndotëse të ambientit kalojnë testin e matjes së gazrave njëjtë sikur veturat e reja për shkak se ky vendim është anuluar.
“Testet e gazrave bëhen, por nuk ka kriter të kalueshmërisë, d.m.th nuk ka rëndësi a i plotëson kushtet vetura apo jo gjatë kontrolleve teknike, ajo vazhdon tutje dhe regjistrohet”, ka thënë në fund Begu.
Ndërkaq, zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës nuk kanë shprehur gatishmërinë të flasin për këtë problem.
Ata nuk kanë qenë në gjendje t’i përgjigjen pyetjeve të redaksisë lidhur me dështimin e implementimit të vendimit i cili do të kontribuonte në ruajtjen ambientit.
Nga kjo Ministri më parë kanë bërë të ditur se nga 1 shatori ka filluar implementimi i vendimit për matjen e gazrave të automjeteve edhe në Kosovë.
Por, ende pa u mbushur një muaj nga fillimi i implementimit të Pullës Mjedisore, ky plan i paraqitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Agjencisë për Ruajtjen e Mjedisit, ka dështuar.
Nga sot në fuqi vendimi i ri për automjete, pagesa shtesë për matjen e gazrave
Ditë më parë FaktePlus ka raportuar se Shoqata e Kontrollimeve Teknike të Automjeteve (SHKTA) i ka dërguar letër Ministrisë së Infrastrukturës dhe QAK Euro LAB, se nëse nuk shfuqizohet vendimi për heqjen e pagesës prej 5 euro nga ana e qytetarëve, ky shërbim nuk do të kryhet gjatë kontrollimit teknik për regjistrim të automjeteve.
Çka është pulla mjedisore?
Pulla apo tiketa mjedisore e automjeteve është një shenjë që vendoset në pjesën e përparme të xhamit të automjeteve për të treguar nivelin e emisioneve që emetohen nga automjeti përkatës.
Qëllimi i përdorimit të saj është reduktimi i ndotjes së ajrit nga burimet e lëvizshme duke përcaktuar zona të lejuara apo të ndaluara për qarkullimin e automjeteve varësisht nga niveli i emetimeve të gazrave që lirojnë ato.
Vlen të theksohet se qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë edhe taksën ekologjike që është e aplikuar më se shumë vite nga Ministria e Punëve të Brendshme, kjo taksë paguhet në Qendrat Komunale për Regjistrim të Automjeteve.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë janë mbi 300 mijë vetura të regjistruara. Në këtë shifër sipas MPB-së përfshihen regjistrimet e reja, regjistrimet e përkohshme, vendimet, ri-regjistrimet dhe legalizimet./FaktePlus
Kujdes, nga nesër hyn në fuqi një vendim i ri për automjete në Kosovë