Nuk përfillet vendimi i ministrit, shkollat nisin pushimin pranveror
Vendimin e ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi për të mbajtur mësim edhe në javën e pushimit pranveror, nuk janë duke e përfillur mësimdhënësit. Sot thuajse gjithë shkollat në Kosovë kanë nisur pushimin pranveror.
Kështu mësimdhënësit kanë mbetur besnik ndaj drejtuese të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), të cilët kanë shprehur qëndrimin e tyre të prerë kundër kompensimit të orëve të humbura mësimore gjatë mbajtjes së grevës.
Lidhur me situatën e krijuar sot SBASHK-u ka thirr mbledhjen kryesisë dhe kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar të të gjitha komunave, me qëllim që të analizojë se si është situata gjatë pushimit pranveror dhe a ka presione ndaj anëtarësisë për mbajtjen e orëve të humbura.
Nga kjo sindikatë kanë bërë me dije se të gjitha shkollat në nivel vendi janë duke mbajtur pushimin pranveror.
Kryesindikalisti Rrahman Jashari ka thënë për FaktePlus se pushimi pranveror është duke u mbajtur.
Ai thekson se kryesia e SBAShK-ut do të mbajë takim për të shikuar gjendjen nëse ka presione nga jashtë.
“Ne jemi në pritje të mbledhjes me kryetarët dhe do të vendosim se çfarë të bëjmë më tutje. Ndërkaq pushimi pranveror është duke u mbajtur në shumicën e shkollave. Nuk kemi informacione nëse ndonjë shkollë është duke mbajtur mësim, mirëpo gjithsesi do të dalim me qëndrim se cilat do të jenë hapat e SBAShK-ut”, ka thënë Jasharaj.
Kurse zyrtarë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) kanë thënë se vendimi i ministrit Shyqiri Bytyqi duhet zbatuar.
Zëdhënësi i MAShT, Valmir Gashi i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se janë duke e pritur raportin ditor nga Inspektorati i Arsimit.
“Vendimi është për t’u zbatuar nga komunat. Gjithsesi ne presim raportin ditor nga inspektorati i arsimit”, është shprehur Gashi.
Ndryshe gjatë muajit shkurt ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, pati marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve të organizuar nga SBAShK-u.
Sipas këtij vendimi, mësimi i humbur për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar publik, me rastin e grevës së mësimdhënësve do të zëvendësohen si në vijim: pesë ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019; pesë ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019 dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019./FaktePlus