Nuk ndalet “Viva Fresh Store”, kjo është zhvatje e re ndaj konsumatorëve
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët janë ankuar në qendrat e mëdha tregtare se po i mashtrojnë si me çmime ashtu edhe me cilësi të produkteve. E të mos e njohësh fundin e së bërit keq, mund ta mësosh tek zhvatja që “Viva Fresh Store”, ka nisur ditëve të fundit ndaj konsumatorëve.
Produkte pa afat, çmime jo si në oferta, janë vetëm disa nga mashtrimet me të cilat përballen konsumatorët në disa biznese që qëllim kanë vetëm përfitimin e tyre.
E së fundmi është “Viva Fresh Store”, e cila përveç se më parë në disa raste është zënë duke mashtruar me çmime e produkte pa afat, tani edhe njëherë ka goditur konsumatorët.
Tani gjithë qytetarët që po shkojnë në këtë super-market në Ferizaj edhe nëse nuk blejnë asgjë po detyrohen të paguajnë së paku 1 euro. Qytetarëve kjo pagesë po u kërkohet me pretekstin se parkingu nuk është falas.
E nga paratë e dhëna për parking duket se asnjë cent nuk do të shkojë në buxhet të shtetit. Kjo pasi që aty nuk lëshohen kuponët fiskal. Të paktën kjo i ndodhi një qytetari atje.
Qytetari (emër i njohur për redaksinë) tregon se kishte shkuar në “Viva Fresh Store” për të blerë diçka dhe kur ka dalë është detyruar të paguaj 2 euro për parking e për këtë gjë nuk i është lëshuar as kuponi fiskal.
“Viva Fresh Store” në linja të çudisë
Duhet thënë se çdo kund, parkingu për automjetet e konsumatorëve do të duhej të sigurohej nga vetë biznesi, por kjo nuk po vlen për “Viva Fresh Store”. E në rastet kur është me pagesë duhet të njoftohen paraprakisht konsumatorët.
Megjithkëtë, “Viva Fresh Store” në Ferizaj nuk është mjaftuar me kaq. Ky biznes edhe pse detyron qytetarët të paguajnë një 1 euro për parkingun e veturës, por nuk jep asnjë përgjegjësi.
E këtë e ka dokumentuar vetë ky biznes në “hajmalinë” për parking.
“Nuk marrim përgjegjësi për dëmtim eventual apo vjedhje të veturës”, thuhet sipër tiketës që nuk harron t’iu “furnizoj” ky biznes.
E për më tepër do të ishte bingo për “Viva Fresh Store” nëse ndonjë qytetar rastësisht e humb biletën apo tiketën e parkingut. Në atë rast ata detyrohen të paguajnë 10 euro.
Edhe kjo ju bëhet e qartë konsumatorëve.
“Bileta e humbur 10 euro”, shkruhet në faturë.
Kujtojmë që “Viva Fresh Store” nuk e la t’i shkoj huq as “Black Friday”. Ditë kjo kur çdo gjë do të duhej të ishte në zbritje, në këtë biznes që ka pika të shitjes në gjithë Kosovës, ndodhi e kundërta.
Atë ditë një lloj çipsi, në marketin “Viva Fresh Store” në Gjakovë, i ishte vënë një çmim shumë më i shtrenjtë se sa e ka zakonisht.
Marketi ofronte zbritje 16 % për klientët e saj në këtë produkt, duke e shitur gjoja me zbritje për 1.89 Euro, e në të vërtetë ky ka qenë çmimi i çipsit në ditët e kaluara.
Konsumatorët e “Viva Fresh Store” po shihen veç si përfitim biznesor, kjo pasi që në këto markete në disa raste është shitur edhe mish i prishur.
Së fundmi, është edhe rasti i këtij biznesi në Skenderaj.
Drejtoria e Inspektoratit në Skenderaj, me 5 dhjetor (2019) kishte konfiskuar dhe ka asgjësuar një sasi të konsideruar të mishit në ‘Viva Fresh Store’./FaktePlus