Nuk ndalet luksi, zyra e kryeministrit vazhdon të blejë telefona nga 1000 euro
Zyrtarët e Zyrës së kryeministrit të Kosovës në kuadër të së cilës bëjnë pjesë edhe disa Agjenci, dëshirojnë që në duart e tyre të kenë vetëm telefona të serisë së fundit. Kohën e fundit, kjo zyrë çdo muaj po njofton se po e blenë nga një telefon për zyrtarët e saj në vlerë prej rreth 1000 euro, shkruan FaktePlus
Tenderi i fundit për këtë punë është bërë publik sot, dhe ai është fituar nga kompania Eor Group ShPK. Vlera e përgjithshme e kontratës është 990 euro dhe kontrata është nënshkrua para dy ditëve. Ndërkohë, nuk është bërë e ditur se për cilin zyrtar është blerë ky telefon.
Zyra e Kryeministrit kishte blerë një telefon të mençur në vlerë prej 996 euro edhe në muajin nëntor të këtij viti. Ky telefon sipas njoftimit është blerë për nevojat e DTI.
Tenderin “Furnizim me telefona dore për nevojat e DTI-së”, e ka fituar kompania “SHKELQIM SKENDERI B.I“ Sh.P.K, derisa në garë kanë qenë 3 kompani.
Hiç më larg se në fund të muajit shtator Zyra e Kryeministrit ka blerë një telefon të mençur duke shpenzuar fiks 990 euro. Në njoftimin “Furnizim me pajisje telekomunikuese” është treguar se fitues i tenderit është shpallur “Mobi Gega”.
Kontrata mes Zyrës së Kryeministrit dhe kompanisë fituese është nënshkruar më 11.09.2018.
FaktePlus kishte kërkuar sqarime nga zyra e kryeministrit për këto blerje, por kjo zyre nuk është përgjigjur.
Një vit më parë, më 18 shtator 2017, Zyra e Kryeministrit të Kosovës kishte bërë blerjen më të madhe të telefonave të mençur, në vlerë prej 8 mijë eurosh.
Blerja e tyre ishte kritikuar nga shoqëria civile e njerëz të politikës. Por në Qeverinë e Kosovës patën thënë se blerja e telefonave të mençur ishte e domosdoshme./M.B – FaktePlus