Nuk ndalen skandalet në Qeverinë Kurti, një ambasador tjetër bën skandalin e radhës
Pas skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, një ambasador tjetër kosovar sot është treguar më lojal ndaj Francës sesa Kosovës, të cilën e përfaqëson dhe do të duhej t’ia mbronte interesat si shef i misionit diplomatik në Francë.
Është Mehdi Halimi, ambasadori i Kosovës në Francë, i cili si duket nuk e ka kuptuar mirë misionin diplomatik që i është besuar në këtë shtet mik.
Përkundër që nuk është e preferuar në diplomaci, që të emërohen diplomatë për t’i shërbyer vendit në shtete ku kanë nënshtetësi edhe vetë, ambasadori Halimi që paguhet rreth 3 mijë euro në muaj për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e Kosovës, sot ka votuar në Francë, e ka bërë publik këtë veprim të tij dhe u ka bërë thirrje kosovarëve me të drejtë vote, që të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e sotme atje.
Diplomatët e Kosovës e kanë të ndaluar të përfshihen në veprimtari që mund të vlerësohen si ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit ose të shteteve ku zhvillojnë veprimtarinë.
“Posa votova në zgjedhjet Presidenciale në Francë. Ftoj të gjithë Kosovarët me të drejtë vote ta ushtrojnë edhe ata këtë të drejtë qytetare”, ka shkruar ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi.
Mehdi Halimi, Ambasador i Kosovës në Francë
Bazuar në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, nenin 32, ku përfshihen detyrat e nëpunësit të shërbimit të jashtëm, nëpunësi ka për detyrë të ushtrojë me ndershmëri dhe korrektësi funksionet dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje me urdhrat, udhëzimet dhe rregulloret e Ministrisë së Punëve të Jashtme, aktet ndërkombëtare dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës.
Ndër të tjera, sipas këtij ligji, nëpunësi i shërbimit të jashtëm ka për detyrë: “Të mbrojë interesat e shtetit të Kosovës dhe të shtetasve dhe personave juridikë të Republikës së Kosovës në shtetin ose shtetet ku është akredituar dhe ushtron funksionet e tij; Të pezullojë aktivitetin e tij në një parti, organizatë ose shoqatë politike gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm; Të mbajë, në të gjitha rrethanat, një qëndrim moral të denjë dhe profesional; Të mos bëjë deklarata që bien në kundërshtim me qëndrimin e Republikës së Kosovës në marrëdhënie me shtetet e tjera ose organizatat ndërkombëtare; Të respektojë ligjet dhe rregulloret e shtetit ose të shteteve ku është akredituar, dhe të mos përfshihet në veprimtari të cilat mund të vlerësohen si ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit ose të shteteve ku zhvillon veprimtarinë; Të ushtrojë veprimtarinë e vet në përputhje me imunitetet dhe privilegjet që gëzon si anëtar i misionit diplomatik; Të mos ushtrojë në shtetin ose shtetet ku është akredituar veprimtari tregtare ose çdo veprimtari tjetër fitimprurëse për llogari të tij ose të familjes së tij”, thuhet në paragrafë të ndryshëm të nenit 32 të këtij ligji.
Shkelja e një detyrimi të tillë, sipas këtij ligji, paraqet arsye për masë disiplinore.
Ndërsa, në nenin 14, ku parashihen funksionet e shefit të misionit diplomatik, ambasadori në këtë rast përfaqëson dhe vepron vetëm në emër të Republikës së Kosovës në shtetin pranues ose organizatat ndërkombëtare.
Në paragrafin 1.3, po ashtu, thuhet se ai jep deklarata dhe mban qëndrime në emër të Republikës së Kosovës, raporton Demokracia.com.
Gjithashtu, çdo diplomat i Kosovës, para se të shkojë në mision diplomatik, e nënshkruan edhe një deklaratë, ku zotohet për paanshmëri, si në aspektin politik, ashtu edhe të çfarëdo natyre tjetër.