Nuk ka mungesë te miellit, vetëm në mars kanë hyrë mbi 7 milionë kilogramë
Nën panikun e pandemisë, qytetarët e Kosovës ia mësynë mullinjve dhe supermarketëve të mëdha për të blerë miell. Në të gjitha bizneset e shitjes me pakicë e shumicë këtij produkti, për pak ditë u boshatisën depot.
Por, lajmi.net ka vizuar disa markete të mëdha në Kosovë dhe ka vërejtur se shumica prej tyre janë furnizuar me miell, të paketimit prej 5 kg dhe 10 kg. Mesatarisht një paketim 10 kg po kushton 4 euro e 30 cent, ndërsa miell tip 500 në sasi prej 5 kg po kushton 3 euro e 55 cent.
Me gjithë mungesën e madhe të miellit, gjatë muajit mars importuesit nuk u ndalen asnjë ditë së bleri këtë produkt esencial për familjet kosovare.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës dërguar për lajmi.net, në Kosovë miell i importuar vetëm në muajin mars ka qenë 7, 440, 396.30 kilogram, ose në vlerë monetare 2.4 milionë euro. Dy lloje të miellit janë importuar, miell prej grurit durum në sasi prej 409,240.00 kg, në vlerë monetare prej 132, 658.50 euro, dhe miell prej grurit të zakonshëm ose spelet në sasi prej 7, 031, 156.30 kg, ose në vlere monetare 2,457, 911,84 euro.
Po sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, origjina e mielli të importuar është nga Shqipëria, Austria, Bullgaria, Gjermania, Greqia, Kroacia, Hungaria, Italia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Ukraina, Serbia.
Më së shumti ka hyrë miell nga Bullgaria, në sasi prej 1, 779, 500.00 kg dhe nga Shqipëria në sasi prej 1, 559, 150.00 kg.
Nga, ana tjetër, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa është takuar sot me përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve dhe përfaqësuesit e Rrjetit të Shitësve me Pakicë për të diskutuar furnizimin me grurë dhe miell në vendin tonë gjatë gjendjes emergjente të shkaktuar nga COVID-19.
“Do të vazhdojmë të koordinohemi në mënyrë që Qeveria, bujqit, mullisët dhe rrjetet e shitjes me pakicë të krijojnë kushtet më të volitshme të mundshme, në këto rrethana, për të arritur tri objektiva njëkohësisht: sigurimi i sasive të mjaftueshme dhe çmimeve të përballueshme të miellit për qytetarët, mbrojtja dhe përkrahja e bujqve dhe përkrahja e prodhuesve vendor” u shpreh ministri Mustafa pas këtyre dy takimeve.
Ndërsa, Rrjeti i Shitësve me Pakicë dhe Shoqata e Mullisëve e siguruan ministrin Mustafa se, momentalisht, në Kosovë ka furnizim të mjaftueshëm me grurë dhe miell për nevojat e konsumit të rregullt.
Ndërkohë, pezullimi i përkohësisht i disa masave tarifore ndaj importit të miellit nga ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka ngjallur pakënaqësi tek mullisët e Kosovës. Ata sot nuk kanë ofruar shërbime dhe shitjen e miellit për qytetarit në shenjë proteste ndaj këtij vendimi.
Kjo për arsye se siç thonë ata mielli i cili po importohet nga Serbia si i subvencionuar nga ky shtet ka kosto më të ulët në tregun e Kosovës, dhe kjo bënë që mos të shitet mielli që prodhohet në vend.
Ndërkohë, shumë qytetarët nga paniku i pandemisë, kanë krijuare dhe stoqe të miellit.