Nuk i ndalë as koronavirusi, ja sa mijëra kosovarë shkuan gjatë vikendit në Shqipëri
Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, por edhe vendet e rajonit, ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të të infektuarave me koronavirus. Por tashmë lehtësimi i masave po vazhdon dhe qarkullimi e kalimet kufitare mes shteteve nuk po ndalet. Vetëm gjatë vikendit në pikat kufitare Kosovë-Shqipëri, kanë kaluar me dhjetëra mijëra persona.
Kthimi i aktiviteteve në normalitet po rezulton me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus gjithandej. Vetëm sot sipas raportimeve në Shqipëri janë konfirmuar 69 të prekur me Covid-19.
Kjo është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë atje, ndërsa prej ditësh po regjistrohen shifra të larta, si 42, 44, 48 apo 57 si ditën e djeshme.
Numër i lartë i rasteve po regjistrohet edhe në Kosovë. Vetëm në ditët e vikendit janë regjistruar 102 raste me koronavirus dhe për to është raportuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.
Mirëpo këto shifra alarmuese nuk i kanë ndalur kosovarët që të vizitojnë gjatë vikendit bregdetin në Shqipëri. Madje fundjava ka qenë e mbingarkuar tej mase për pikat kufitare Kosovë-Shqipëri.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar të dhëna statistikore në Policinë e Kosovës në lidhje me numrin e personave që kanë hyrë dhe dalë nga Kosova për në Shqipëri.
Sipas këtyre të dhënave, për këto dy ditë vetëm në pikat kufitare në perëndim, kanë hyrë në Kosovë mbi 10 mijë persona, si dhe kanë dalë rreth 10 mijë.
Po nga ana perëndimore kanë hyrë e dalë edhe mijëra mjete transportuese.
Sipas të dhënëve zyrtare gjatë vikendit kanë hyrë 4 mijë e 111 vetura dhe 114 kamionë, si dhe kanë dalë 3 mijë e 24 vetura dhe 60 kamionë.
Në anën tjetër në krejt vendin për dy ditë kanë hyrë 16 mijë e 481 persona dhe kanë dalë 15 mijë e 267 persona.
Tutje në të dhënat policore theksohet edhe numri i personave që kanë hyrë e dalë nga pikat kufitare në Lindje dhe Veri.
Gjatë vikendit nga Lindja kanë hyrë 2 mijë e 560 persona dhe kanë dalë 3 mijë e 72 persona. Ndërkaq nga Veriu kanë hyrë 3 mijë e 498 persona dhe kanë dalë 4 mijë e 422 persona.
Vlen të theksojmë se pika kufitare më e ngarkuar gjatë sezonit të verës është ajo e Merdares, pasi aty kalojnë shumica e mërgimtarëve që vijnë për të kaluar pushimet në Kosovë, shkruan FaktePlus. E të ngarkuara janë edhe pikat kufitare me Shqipërinë, pasi shumë qytetarë shkojnë për pushimet e verës atje.
Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Avdullah Hotit disa ditë më parë ka miratuar masat lehtësuese. Pas lehtësimit në Kosovë është hequr orari i kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Pra tani lëvizja është e lirë dhe 24 orë.
Po ashtu qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore.
Kujtojmë se qysh nga nisja e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë respektimin e masave mbrojtëse, si ruajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave si dhe higjienën personale.
Sipas të dhënave të fundit të IKSHPK-së, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,486 raste dhe 33 pacientë kanë vdekur, kurse 1,183 pacientë janë shëruar./FaktePlus