“Nuk guxojmë të bazohemi në zhvillimin ekonomik duke vendosur tarifa”
Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka deklaruar se janë pajtuar për heqjen e tarifës 100 përqind ndaj produkteve serbe dhe se ky vendim është marrë pas takimeve që Kurti ka mbajtur me ta.
Sipas Panxhës, tani duhet të kujdesemi që të mos i lejohet Serbisë që ta dëmtojë prodhuesin vendor, të cilët sipas tij do të tentojnë ta rikthejnë tregun që e kanë humbur prej kohës kur është vendosur taksa.
“Takimi i ditës së djeshme ka qenë vazhdimësi e takimeve që i kemi pasur, ku kemi diskutuar me Kurtin dhe janë paraqitur qëndrimet e tij dhe tonat”.
“Për ne ato janë qëndrime të qeverisë, se ne kemi diskutuar me kryeministrin. E kemi përkrahur për hapat që duhet të hiqet tarifa dhe më pas të vendoset reciprociteti, por ne kemi kërkuar që tarifa të mos vendoset në lëndën e parë për prodhuesit e Kosovës, sepse masa atëherë është vendosur që të dëmtohet Serbia, por kemi thënë që kështu e vendosim edhe veten, pra kemi kërkuar që të mos vendoset në lëndën e parë”.
“Përkrahim vendimin e qeverisë së Kosovës se jemi në periudhë ku duhet të reflektojnë të gjithë. Jemi të pajtimit që të shikojmë a ka ndryshuar qasja e Serbisë ndaj tregut të Kosovës dhe fokusin e kemi që ta rregullojmë tregun e Kosovës pas largimit të taksës, sepse duhet të shohim të mos përballemi me një skenar ku largohet tarifa e më pas mallrat e Serbisë e vërshojnë tregun e Kosovës dhe dëmtohet prodhuesi vendor”.
“Si organizatë kemi qenë në grupin punues, kemi pas takime dje, do të kemi edhe takimet e ardhshme për të diskutuar për kërkesat tona. Kërkesa jonë është që duhet të rregullohet tregu i brendshëm i Kosovës, sepse Serbia do të tentojë ta dëmtojë prodhuesin e Kosovës duke tentuar që produktet e tyre t’i shesin më lirë dhe ta rikthejë tregun që e ka humbur për një vit e gjysmë”.
“Taksa ka pasur impakt pozitiv në ekonominë e Kosovës, ka rritje të prodhimit, por nuk guxojmë të bazohemi në zhvillimin ekonomik duke vendosur tarifa”.
“Prodhuesit e Kosovës nuk janë në atë formë që dëshirojnë ta bllokojnë tregun e Kosovës e ta shfrytëzojnë veç për vete, por jemi për tregti të lirë dhe të barabartë”.
“Mund të jemi të barabartë kur prodhuesit e Kosovës të eksportojnë produktin siç bëjnë ata tek ne. Kosova ka mundësi të depërtojë në produktet e Serbisë dhe këtë ata e pengojnë, dhe jo vetëm në Serbi por edhe transiti përmes Serbisë është problem”.
“Qasja e Serbisë ndaj tregut të Kosovës nuk ka qenë ajo që pritet mes dy vendeve që kanë nëshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë. Ata kanë dëshiruar të shesin çdo gjë në Kosovë, ndërsa nuk kanë lejuar të blejnë nga Kosova asgjë. Kemi pasur raste të shumta që edhe produktet që kanë qenë të destinuara për regjionet shqiptare në jug të Serbisë, janë vonuar në dogana me javë të tëra”.
“Ne kemi thënë që të shohim se nëse maunet tona vonohen në kufi, atëherë le të vonohen edhe ato të Serbisë”.
“Kur është marr vendimi për taksen 100 përqind, ne kemi qene pro. Tash kemi pas komunikim të vazhdueshëm edhe me institucionet e SHBA-së në Kosovë dhe prej tyre kemi marr fjale që gjatë këtij viti do të vijnë investime shumë të mëdha amerikane, që të mos jemi bllokues ndaj marrëveshjes sepse do të ketë institucione amerikane që planifikojnë gjatë vitit 2020 të vijnë me investime konkrete në ekonominë e Kosovës, kështu që nëse e shikojmë në periudhë afatgjate, është normale që ne duhet të rreshtohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Pra kemi marr informata që gjate vitit 2020 është institucioni për zhvillim financiar i SHBA-së që pritet të vijë me projekte në Kosove për financim, pastaj e kemi MCC amerikane, dhe gjithë ky investim i SHBA-së duhet të merret parasysh që do të kompensojë ndoshta humbjet qe i kemi në qoftë se e heqim tarifën në aspektin ekonomik”, deklaroi ai.