Nuk dihet kur fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës (VIDEO)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tanimë ka numëruar gjithë votat e rregullta dhe i ka publikuar rezultatet në faqen e saj të internetit. Por, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nuk e dinë se kur fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë. Kjo për shkak se votat me postë ende nuk kanë arritur në QNR.
Ekipi i Agjencisë së Lajmeve FaktePlus ka qëndruar gjatë ditës së sotme në vendin ku është bërë numërimi dhe tani po bëhet procesimi i të dhënave në sistem.
Burim Ahmetaj, koordinator në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka thënë se është pranuar i gjithë materiali i ndjeshëm dhe se pas procesit të numërimit të votave të rregullta, tani bëhet procesimi i të dhënave në sistem.
“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve dje në orët e vona ka pranuar të gjithë materialin e ndjeshëm prej të gjitha komunave të Kosovës dhe tashmë konsiderojmë se i gjithë materiali është brenda këtu në QNR dhe është duke u trajtuar. Aktualisht jemi duke bërë procesimin e të dhënave nga formularët e rezultateve të cilat janë duke u vendosur në sistem”, ka thënë ai.
Por, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nuk e dinë të japin një përgjigje lidhur me votat me kusht dhe atyre me postë.
Sipas Ahmetajt, fillimit të numërimit për votat me kusht duhet t’i paraprijnë disa procese siç është regjistrimi i të gjithë votuesve të rregullt në bazën e të dhënave dhe të krahasohen votuesit e rregullt.
I, pyetur se kur pritet të fillojë numërimi edhe i votave me postë, Ahmetaj ka thënë se ende nuk dihet asgjë rreth kësaj.
“Ende nuk dihet sepse tash jemi në fazën e parë të procesimit të dhënave , normalisht jemi duke punuar edhe në regjistrimin e votuesve të rregullt në bazën e të dhënave, po ashtu do të fillojmë në ditët në vijim në regjistrimin e votuesve me kusht në bazë të të dhënave, kështu që janë procese që nuk mund të ndodhin edhe përkundër nëse punojmë 24 orë në tri ndërrime nuk mund të themi që mund të kryhet brenda disa dite ky proces”, ka deklaruar ai.
Ahmetaj, ka pranuar që ka kuti të votimit që janë dërguar në karantinë, për shkak të parregullsive kryesisht me shirita apo mospërputhje të zarfeve dhe nënshkrimeve të votuesve.
“Ka kuti të votimi që janë dërguar në karantinë , por natyra e thash më herët që janë ose për shirita që janë dëmtuar gjatë transportit ose janë ndërruar shiritat nga KKZ-ja ose nuk përputhet numri i zarfeve me numrin e nënshkrimeve, pra kjo është ajo natyra, mirëpo nuk është problem që s’mund të zgjidhet. Jemi duke bërë hetimin e tyre, do t’i dërgojmë rekomandimet në KQZ dhe KQZ-ja do të vendos se si do të veprohet me to, mirëpo nuk është numër shumë i madh”, ka thënë ai.
Kosova dy ditë më parë iu nënshtrua zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së ish- kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Gjatë ditës së sotme disa subjekte politike kanë paraqitur ankesa në PZAP lidhur me procesin zgjedhor dhe kanë kërkuar rinumërim të gjithë të kutive të votimit.
Zgjedhjet u zhvilluan të dielën më 6 tetor dhe nga numërimi i votave fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga LDK-ja. Rezultatet treguan se PDK është radhitur e treta, kurse e katërta AAK dhe në fund është Nisma, e cila është në rrezik të kalojë pragun prej 5%./FaktePlus