Norvegjia planifikon dozë të tretë për të gjithë të rriturit
Norvegjia do t’ua ofrojë dozën e tretë të vaksinës për Covid-19 të gjithë banorëve mbi moshën 18-vjeçare dhe do t’ua japë mundësinë komunave që të përdorin pasaporta për koronavirus si mënyrë për luftimin e infeksioneve, tha qeveria norvegjeze të premten.
Deri më tani, autoritetet shëndetësore norvegjeze ua kanë ofruar dozën e tretë vetëm personave mbi moshën 65-vjeçare, shkruan Reuters.
“Të gjithë personave 18 vjeç e më të vjetër do t’u ofrohet doza e tretë vitin e ardhshëm”, tha në një konferencë për gazetarë Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere.
Përderisa 87 për qind e të rriturve në Norvegji janë vaksinuar me dy doza dhe 70 për qind e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar, numrat e rasteve dhe hospitalizimeve po rriten shpejt.
Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes, shteti skandinav nuk do të futet në izolim, por do të përdorë pasaporta digjitale për t’i mbajtur hapur restorantet, sallat e koncerteve e sallat sportive, tha kryeministri norvegjez.
Qeveria dëshiron që autoritetet lokale t’i shtojnë testimet në shkolla dhe universitete, gjë që tani nuk është duke ndodhur. Nxënësit ende nuk do të jenë të detyruar që të vendosin maska.