Njoftim i rëndësishëm për ata që mbledhin kupona fiskal
Projekti i Administratës Tatimore të Kosovës me kuponë fiskal po vazhdon ende, duke tërhequr kështu interesim të madh tek qytetarët e Kosovës.
Ndryshimi i Formës së rimbursimit nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për qytetarët që mbledhin kuponë fiskalë ka bërë që të bie ndjeshëm numri i kuponëve të dorëzuar.
Projekti në fjalë tashmë po ekzekutohet përmes aplikimit të on-line si dhe tërheqja e fituesit bëhet në formë lotarie.
Nga ATK kanë për me dije për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se që nga fillimi i vitit e deri më tani, janë rimbursuar 4 mijë e 700 euro.
Ndonëse vite me parë jepeshin miliona euro, me ndryshimin e metodës së rimbursimit, kjo shumë parash ka rënë dukshëm dhe ATK tani ka dhënë vetëm mijëra euro.
Valentina Bytyqi-Sefa ka thënë për FaktePlus po ashtu se ATK për tre mujorin e dytë të vitit 2019 ka dhënë mbi 4 mijë euro.
“Këtë viti i bie që është zhvilluar TM2 dhe TM3. TM3 është ende ne proces, për TM2 2019 janë rimbursua 4,700.00 euro për qytetarët fitues”, ka thënë Bytyqi-Sefa.
Ajo po ashtu ka konfirmuar për FaktePlus se rreth 100 mijë qytetarë kanë aplikuar për 6 muajt e fundit të këtij viti.
“Për TM2 dhe TM3 2019, numri i qytetarëve të cilët kanë aplikuar është 97,534”, tha Bytyqi-Sefa duke shtuar se ATK ende nuk ka vendosur për ndryshime të rimbursimit për vitin e ardhshme.
Si të aplikoni për rimbursim?
Aplikimi bëhet duke plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal. Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal. Aplikimi bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit.
Fituesit potencial do të rimbursohen me dhjetë për qind (10%) të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se njëqind euro (100 €).
Numri minimal i kuponëve fiskal të dorëzuar duhet të jetë 60 kuponë, me shumën minimale dyqindepesëdhjetë euro (250€).
Numri Potencial Fitues do të gjenerohet nga sistem i ATK-së në bazë të një algoritmi të përcaktuar nga ATK, duke u bazuar në numrin e plikos, emrin dhe mbiemrin (në rastet kur qytetari posedon dy mbiemra do të merret për bazë vetëm i pari) e qytetarit.
Pas përfundimit të afatit të aplikimit, në njërën nga datat 1 deri më 10 të muajit pasues, ATK do të organizoj tërheqjen e Fitueseve Potencial (FP), përmes Radio Televizionit Publik të Kosovës.
Pas përfundimit të procesit të tërheqjes së Numrave Potencial Fitues, qytetaret të cilët posedojnë Numrin Potencial Fitues të përzgjedhur nga tërheqja, plikon me kuponë fiskal së bashku me të dhënat e aplikimit duhet të dorëzojnë fizikisht të mbyllur, në njërën nga Drejtoritë Regjionale të ATK-së, brenda afatit prej pesë (5) ditë pune pas publikimit të listës në ueb faqe të ATK-së./FaktePlus