Njeriu i afërt me Elmi Reçicën merr qindra mijëra euro nga shteti përmes “Kosovës së Re”
Kompania e sigurimeve “Kosova e Re” e cila ishte para falimentimit është rikthyer në treg për një kohë shumë të shkurtër. Kjo falë dhjetëra kontratave për sigurim të punëtorëve e veturave të arritura në mënyrë të dyshimtë me disa prej institucioneve publike në Kosovë. Brenda disa muajve kjo kompani nënshkroi kontratë për sigurim të punëtorëve e veturave me institucionet publike si KOSTT, PTK, Sindikatën e Doganave të Kosovës, pastaj me KEDS-in e KESCO-n. Po ashtu, kontrata u arritën edhe me disa komuna, në Skenderaj, Drenas, Klinë e Prizren.
Këto kontrata janë nënshkruar menjëherë pasi në krye të kësaj kompanie erdhi drejtori i ri, kompania ndërtimore “Fitorja”, e cila njihet e afërt me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kjo kompani është e afërt me deputetin aktual nga radhët e PDK-së Elmi Reçica dhe drejtorit të saj Faton Hasanit i është miratuar kohë më parë kërkesa nga Banka Qendrore e Kosovës për t’u emëruar si drejtor gjeneral në “Kosovën e Re”.
Hasani është në kryesi të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe në shumë raste dëshmon me fotografi duke qëndruar në krah me Elmi Reçicën dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.
Vetëm disa kërkime të shkurta në Facebook dëshmojnë lidhjen që ka Hasani më drejtuesit e PDK-së e veçanërisht me Elmi Reçicën, me të cilin edhe kanë prejardhjen nga qyteti i Ferizajt.
FaktePlus ka parë se gjatë vitit të kaluar kompania “Kosova e Re” ka nënshkruar rreth 40 tenderë me disa nga institucionet më të rëndësishme të vendit. Vlera e këtyre tenderëve është 185 mijë e 934 euro.
Se “Kosova e Re” ka marrë tenderë dhe është kthyer në treg e ka treguar me mburrje edhe vetë Faton Hasani.
Ai në një njoftim publik të mëhershëm kishte thënë se kompania e sigurimeve “Kosova e Re” po rikthehet fuqishëm në tregun e sigurimeve në Kosovë.
“Kosova e Re” i ka kushtuar gjithashtu rëndësi tjetër të posaçme zhvillimit të produktit “sigurimi i shëndetit privat” dhe gjatë kësaj jave janë nënshkruar kontratat për sigurimin e punëtorëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre me korporatat me të mëdha në vend si: KEDS, KESCO, KOSTT, PTK, Sindikata e Doganave të Kosovës etj”, thuhet në një njoftim publik të menaxhmentit të publikuar në faqen zyrtare në Facebook nga drejtori Faton Hasani.
Po ashtu, Hasani njofton se biznesi me kompaninë “Fitorja”, po i ecën mirë dhe se kanë arritur ta riorganizojnë krejtësisht ndërmarrjen.
“Tradita 43-vjecare që e bën të jetë kompania më e vjetër e sigurimeve në Republikën e Kosovës, kuadri profesional, menaxhmenti i dëshmuar në fushën e sigurimeve, dhe sukseset e aksionarëve, grupit të bizneseve vendore nën ombrellën e korporatës ”Fitorja” me seli në Ferizaj tashmë pronare të kompanisë të sigurimeve ”Kosova e Re” për një periudhë të shkurtër prej vetëm 5 muajsh kanë riorganizuar në tërësi kompaninë duke i kushtuar rëndësi të posaçme klientëve të saj besnike”, pati njoftuar Hasani.
Si iu ndërrua pronari “Kosovës së Re”
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, dy vite më parë ishte në hall me kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. Për shkak të problemeve financiare që kjo kompani po kalonte, BQK për pak sa nuk ia vuri drynin.
Për të shpëtuar kompaninë, e vetmja mundësi ishte gjetja e një pronari të ri. Në ndihmë guvernatorit Hamza i dolën bashkëpartiakët e dikurshëm nga Partia Demokratike të Kosovës.
Në fund të vitit 2016, kompania “Fitorja” nga Ferizaj që merret me ndërtimtari, i bleu 100 për qind të aksioneve të “Kosovës se Re”. Kjo kompani që aktualisht po e ndërton kompleksin “Iliria Rezidence” njihet si e afërt me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, përkatësisht deputetin e saj, Elmi Reçicën.
Ndërkohë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, si drejtor gjeneral në kompaninë “Kosova e Re” figuron emri i Faton Hasanit.
Hasani kishte treguar vetë për media në Kosovë se është anëtar i PDK-së në Ferizaj, që nga paslufta.
Sa i përket lidhjeve me Reçicën, Hasani pati thënë se “i takojmë të njëjtit subjekt politik dhe se kjo është lidhja me të”.
kurse ndryshimin e pronësisë se kësaj kompanie e kishin konfirmuar edhe nga Banka Qendrore e Kosovës.
“Pas shqyrtimit të kërkesës, si dhe vlerësimit të pajtueshmërisë me kërkesat ligjore për ndryshim pronësie, BQK-ja ka miratuar kërkesën e kompanisë”./FaktePlus