Njëmbëdhjetë vjetori i Pavarësisë shënohet edhe në Strasburg
Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg shënon 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kanë marrë pjesë ambasadorë të shteteve anëtre në KiE, eurodeputet, personalitete të njohura ushtarake dhe politike, si dhe komuniteti kosovarë që jeton në Strasburg dhe rrethinë.
Me ftesë të ambasadores Mimoza Ahmetaj, prezent ishte dhe deputeti Ismet Beqiri, anëtar zëvendësues në delegacionin e Kuvendit të Kosovës pranë APKiE-së, si dhe Astrit Zemaj, zv. drejtor i drejtorisë së Përgjithshme në MPJ.
Ambasadorja Ahmetaj iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, ku tha se në këtë përvjetor, kujtojmë jo vetëm ditën kur lindi shteti ynë, por në të njëjtën kohë i nderojmë të gjithë ata që bënë këtë ditë të mundshme, gjenerata të tëra që ndërtuan vizionin e një vendi të pavarur.
Ahmetaj shtoi se gjatë gjithë kësaj kohe, Kosova ka arritur shumë suksese dhe ka shënuar historinë e saj të shkurtër në skenën ndërkombëtare.
“Kosova ka arritur të nënshkruaj marrëveshjen e parë me BE-në. Në këtë kontekst, do të dëshiroja të falënderoj qytetin e Strasburgut dhe autoritetet e tij si nikoqir të shumë ngjarjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kosovën, përfshirë nënshkrimin e MSA-së. Gjatë vitit që lamë pas, FSK-ja u shndërrua në Forcë të Armatosur Ushtarake, dhe kjo na bënë krenarë për arritjet dhe sukseset tona por edhe të vetëdijshëm për detyrat dhe sfidat tona përpara”, tha ajo.
Ambasadorja Ahmetaj në vijim nënvizoi se ky vit shënon 7 vjetorin e komunikimit të drejtpërdrejtë të Kosovës me Këshillin e Evropës, si dhe shfrytëzoi rastin të falënderoj sekretarin e përgjithshëm Jagland për kontributin dhe angazhimin e tij të drejtpërdrejtë, si dhe institucionet e Kosovës për gatishmërinë për të marrë përgjegjësi në procesin e ndërtimit të shtetit.