Një xhip luksoz për Inspektoratin Policor që kushton 50 mijë euro
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) po planifikon që të blejë një veturë super luksoze, e cila mes tjerash duhet të jetë e pajisur me sistem navigacioni me ekran me prekje, por edhe USB e bluetooth, sikurse edhe me fellne alumini. Për këtë lloj xhipi që duhet të jetë i prodhuar më 2019, IPK ka planifikuar të paguaj 50000 euro.
Institucionet shtetërore të Kosovës po vazhdojnë të shpenzojnë paratë publike për luks. Së fundmi është Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) që ka planifikuar të blejë vetëm një veturë.
Por, vetura që ka planifikuar të blejë ky institucion nuk është e zakonshme. Ajo sipas përshkrimit duhet të jetë e pajisur thuajse e gjitha me teknologjinë më të re dhe elemente speciale, raporton FaktePlus.
IPK po kërkon që vetura e tipit SUV 4×4 Luksoze, mes tjerash duhet të jetë e pajisur me sistem navigacioni me ekran me prekje, por duhet të ketë edhe USB e bluetooth, sikurse edhe fellne alumini.
Sipas përshkrimit në dosjen e tenderit thuhet që automjeti duhet të ketë tërheqje 4×4, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Kapaciteti i motorit të kësaj veture luksoze, pra vëllimi i motorit duhet të jetë minimum 2.9. Kurse fuqia e motorit duhet të jetë 150 KW, me ndërrues të shpejtësive automatik.
E vetura duhet të ketë normën e emetimit të gazrave Euro 6, kurse ngjyra e veturës sipas porosisë.
IPK ka treguar se për këtë lloj veture është e gatshme të japë deri në 50 mijë euro, kurse operatori ekonomik (shitësi i veturës) duhet të ofroj garanci tregtare sipas prodhuesit për pjesët mekanike elektrike dhe pajisje elektronike, minimumi 24 muaj ose 100, 000 kilometra.
Të interesuarit, pra operatorët ekonomik duhet që ofertat e tyre për të shitur veturën t’i dorëzojnë në deri më 14 maj 2019 në ora 13:30.
Duhet theksuar se sipas përcaktimit ligjor, IPK-ja punë primare e ka angazhimin për të parandaluar, zbuluar dhe dokumentuar veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë, por edhe të tjerë.
Mes tjerash mision i IPK-së është përpjekja për të reduktuar dhe eliminuar korrupsionin dhe keqpërdorimet e mundshme nga ana e policisë. Mbetet të shihet nëse vetura super luksoze prej 50 mijë euro do të “ndikojë” që IPK të jetë më e suksesshme në punën e saj në të ardhmen.
Kujtojmë se gjatë këtij viti institucionet qendrore, lokale, por edhe ato të pavarura për blerje të automjeteve të reja kanë paraparë t’i shpenzojnë hiç më pak se 6 milionë euro. Kurse para të mëdha janë shpenzuar edhe gjatë viteve të kaluara.
Po ashtu, institucionet miliona euro shpenzojnë çdo vit edhe për marrje me qira të veturave të reja për nevoja të tyre./FaktePlus