Një vit nga zgjedhjet, cilat parti kanë ende borxhe në PZAP
Subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, i kanë shlyer të gjitha borxhet e mëdha prej qindra mijëra euro që kanë krijuar ndaj shtetit si pasojë e shqiptimit të gjobave prej Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Kosova më 6 tetor mbajti zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët kanë dhënë votën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Në këto zgjedhje garuan 25 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.
Ashtu si e parasheh ligji, PZAP ka monitoruar subjektet politike dhe kandidatët për deputetë që kanë garuar për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
E tash po thuajse gati një vit nga zgjedhjet shumica e partive i kanë paguar tërësisht gjobat që iu janë shqiptuar për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës dhe thyerje të heshtjes zgjedhore.
Zyrtarë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kanë bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se janë më shumë se 360 mijë euro gjoba të shqiptuara.
Nga PZAP thotë se janë ende pa u paguar edhe 5 mijë e 100 euro dhe 354 mijë e 900 euro janë paguar.
Sipas PZAP-së është Koalicioni “Sloboda” i cili ende nuk e ka paguar gjobën e shqiptar.
“ Në zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019, PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike ne shume prej Gjithsejtë: 360,000.00 euro. Deri me tani të gjitha subjektet politike i kane paguar gjobat e tyre me përjashtim të subjektit politik Koalicioni “Sloboda” i cili ende nuk e ka paguar gjobën e shqiptar në shume prej 5,100.00 euro”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së.
Ndryshe bazuar në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, subjektet politike që nuk i shlyejnë gjobat e shqiptuara nga PZAP-i, nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet tjera të ardhshme që mbahen, qoftë lokale apo parlamentare.
Zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.
Këto zgjedhje u vëzhguan nga rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor u kujdesën Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. /FaktePlus/.