Një vit nga sulmi ndaj Capitol-it – pamje nga rasti që e shokoi botën
Sot, më 6 janar 2022, bëhet një vit nga sulmi ndaj Capitol-it në ShBA. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta fajësojë paraardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, për trazirat në Capitol në 1-vjetorin e sulmit ndaj themelit të demokracisë amerikane.
Sipas sekretares për medie në Shtëpinë e Bardhë, Jen Psaki, presidenti amerikan do të thotë se Trumpi mban “përgjegjësi njëjëse” për “kaosin dhe kërdinë”, shkruan BBC.
Hetuesit deri më tani kanë arrestuar 725 persona të dyshuar në lidhje me këtë sulm. Përkrahësit e Trumpit e kishinsulmuar ndërtesën zyrtare në kohën kur Kongresi ishte në seancë për ratifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Fotografitë e ligjvënësve amerikanë duke u mbrojtur nga turma e dhunshme në hollin e Dhomës së Përfaqësuesve në pasditen e 6 janarit 2021 e kishin tmerruar botën.
Ish-presidenti Trump u kishte bërë thirrje protestuesve të grumbulluar para Shtëpisë së Bardhë pak para shpërthimit të dhunës që të marshonin në mënyrë paqësore drejt Kongresit, por gjithashtu i nxiti që të “luftonin” dhe bëri pretendime të pabaza për mashtrim masiv në zgjedhjet që i kishte humbur.