Një vit nga anulimi i konkursit, Albulena Haxhiu e futi në kaos Noterinë e Kosovës
Janë bërë gati një vit që kur Noteria e Kosovës është futur në kaos. Krejt kjo për fajin e ish- ministres Albulena Haxhiu, që e kishte anuluar konkursin për noterë të rinj. Për shkak të pensionimit dhe anulimit të konkursit tani në Kosovë ka mungesë të noterëve. Ministria e Drejtësisë tani është në pritje të Gjykatës së Apelit për verdiktin e fundit.
Pak ditë pasi mori detyrën si ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte anuluar konkursin për noterë të rinj të Kosovës. Ajo me një vendim kishte anuluar këtë proces kështu duke thënë se ai nuk ka ligjshmëri.
Haxhiu kishte thënë se ky proces nuk ka pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.
“Ky proces i konkursit kërkon ligjshmëri, transparencë dhe objektivitet. Nuk ka pasur, as ligjshmëri, as transparencë dhe as objektivitet. Në këtë mënyrë unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara këtë proces”, pati deklaruar ajo.
Ish-ministrja tutje kishte premtuar se konkursi për noter do të rifilloj shumë shpejt.
“Kemi pas deklarata edhe të miqve, si ajo e ambasadorit gjerman që kanë paralajmëruar se nuk mund të njihen jashtë Kosovës. Ka pasur edhe kërkesa të OJQ-ve që të kthehet në pikën zero, që është duke u hetuar edhe nga prokuroria. Të gjitha pagesat që janë paguar nga kandidatët që i janë nënshtruar këtij provimi do të kthehen. Ky vendim sot është sinjal i qartë se proceset e tilla, asnjëherë nuk do të përsëriten. Konkursi për provimin e noterisë do të shpallët së shpejti, nuk do të vonoj”, kishte deklaruar Haxhiu.
Mirëpo, tani janë bërë po thuajse 1 vit nga anulimi i këtij konkursi dhe se ende nuk është rishpallur ai. E në pritje të rishpalljes së këtij konkursi janë në pritje qindra aplikues për noter.
Për shkak të pensionimit dhe anulimit të konkursit për noter, sot në Kosovë kanë mbetur një numër i vogël i noterëve, ndërkaq shumë qytete të vendit janë mbetur pa noterë.
Vetëm në tre muajt e fundit janë pensionuar 10 noterë në disa komuna të Kosovës gjë që kjo ka bërë që të zvogëlohet numri i noterëve në vend.
Nga Ministria e Drejtësisë e udhëhequr tani nga ministri, Selim Selimi, kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se kjo e fundit është në pritje të Gjykatës së Apelit për verdiktit e fundit.
Nga zyra për media pranë kësaj ministrie kanë thënë se varësisht nga vendimi i gjykatës do të procedohet i tërë procesi i konkursit.
“ Vendimi i ish Ministres, znj. Haxhiu përmes të cilit është anuluar provimi për noter, është atakuar në gjykatë, andaj Ministria e Drejtësisë është në pritje të vendimit të gjykatës, dhe në varësi prej vendimit do të procedohet me këtë proces, për çka do të njoftohet edhe opinion publik”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për FaktePlus.
Edhe Oda e Noterëve të Kosovës në të kaluarën pati shpreh shqetësime për mungesën e noterëve nëpër komunat e vendit. Ata kanë kërkuar mbulimin e të gjithave komunave me zyra noteriale.
“ Na duhet theksuar se Oda e Noterëve ka kohë që kërkon nga Ministria e Drejtësisë mbulimin e të gjitha komunave në Kosovë me zyra noteriale. Edhe pas më shumë se 6 viteve ekzistencë të këtij shërbimi kemi komuna pa noter por edhe ato me vetëm 1 noter, e për të cilat komuna urgjentisht kemi kërkuar nga MD që qytetarëve të këtyre komunave tu ofrohet mundësi dhe kushte për tu pajisur me shërbime noteriale, mirëpo krejt kjo në bazë të një analize paraprake për secilën komunë dhe në pajtim me kërkesat e tregut për noter të rinj”, thuhej në reagimin e Odes së Noterisë së Kosovës.
Ndryshe në tërë vendin janë vetëm 59 noterë nëpër të gjitha komunat e Kosovës/FaktePlus/.