Një vit kohë për plotësimin e rekomandimeve ose s’ka sërish akreditim
Tri universitetet publike në Kosovë, si Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Universiteti “Isa Buletini” në Mitrovicë dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, janë institucionet e arsimit të lartë, të cilave gjatë muajit korrik të këtij viti u është tërhequr akreditimi për vitin akademik 2019/2020 nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC).
Mospërmbushja e standardeve të kërkuara, kopjimi i misioneve, mungesa e rregulloreve të rëndësishme etj, u tha se ishin disa nga arsyet e mosakreditimit, ndërsa shumëkush ka fajësuar edhe politikën për ndërhyrje në institucionin që vlerëson cilësinë e universiteteve e kolegjeve.
E nga korriku deri më sot nuk ka më ndonjë vlerësim tjetër për këto universitete.
Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), Gazmend Luboteni thotë se këto institucione të arsimit të lartë kanë një vit kohë që t’i plotësojnë rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe nëse vlerësohen pozitivisht, mund të pranojnë sërish studentë nga viti i parë.
“Universitetet publike dhe kolegjet private që e kanë marrë vlerësim negativ dhe kanë dështuar në akreditimin institucional nuk mund të pranojnë studentë të rinj në vitin akademik 2019/2020, kurse studentët tjerë i vazhdojnë studimet normalisht. Të gjitha këto institucione të arsimit të lartë që nuk kanë akreditimin institucional, kanë kohë një vit për plotësimin e rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë dhe pas një viti i nënshtrohen një vlerësimi të ri nga ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë dhe nëse vlerësohen pozitivisht, do të kenë mundësi të pranojnë studentë të rinj edhe në vitin e parë”, ka thënë Luboteni për FaktePlus.
Kryetari i KShC-së ka shtuar se institucioni që drejton nuk do të mblidhet për të marrë një vendim për këto institucione, para se të marrë vendim nga ekipi i ekspertëve.
E këto institucione të arsimit të lartë shpesh janë cilësuar edhe politike, shkaku që ishin hapur në kohë fushate, por edhe për shkak se ishin të mbushura me militant politik.
Sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, fakti që institucionet qeverisëse ia bartën fajin e dështimit për akreditim anëtarëve të KShC-së, tregon që këto universitete janë të themeluara për interesa elektorale e pa interes në ofrimin e studimeve cilësore.
“AKA nuk është institucion që vepron në pavarësi të plotë, mirëpo rekomandimi i ekspertëve ka qenë shumë i qartë dhe mirë argumentuar. Në vend që përgjegjësia të kërkohej nga universitetet rajonale për dështim në akreditimit, institucionet qeverisëse fajin ua bartën anëtareve të KShC-së. Kjo tregon që këto universitete janë politike, të themeluara për interesa elektorale dhe pa asnjë interes në të ofruarit e studimeve cilësore”, tha ai për FaktePlus.
Sipas Qehajës nga instituti EdGuard, pasojë e vetme e mbylljes së tyre nuk është mosakreditimi, por që aty studentët nuk kanë fituar e nuk do të fitonin dije që do t’ju shërbenin në treg të punës.
“Pasoja e vetme për të rinjtë në vend, nuk është mosakreditimi i universitetit të tyre, por kryerja e studimeve pa asnjë përfitim në dije që do të mund t’u shpërbente për treg të punës”, ka theksuar ai.
Se ka pasur ndërhyrje politike në institucionet e arsimit të lartë, e thotë edhe njohësi tjetër i arsimit, Dukagjin Popovci.
Sipas tij, politika nuk ka pasur ndikim tek ekspertët ndërkombëtarë, por në krijimin e komoditetit tek universitetet se do të tolerohet mospërmbushja e standardeve edhe këtë herë, që sipas tij është bërë në vazhdimësi.
“Nuk besoj se politika ka pasur ndikim tek ekspertët ndërkombëtarë, por ka pasur ndikim në krijimin e komoditetit tek universitetet publike se do të tolerohet edhe këtë herë mospërmbushja e disa standardeve, siç ka ndodhur në të kaluarën. Do të ju kujtoj se, menjëherë pas publikimit të vendimit për mosakreditim, zyrtarët më të lartë të shtetit kanë nxituar t’i sigurojnë universitetet se ato nuk do të kenë asnjë pasojë nga ky vendim, duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në punët e Agjencisë së Akreditimit. Kjo tregon se ata i shohin këto universitete si vende ku mund të vjelin vota, e jo si institucione arsimore që duhet t’i plotësojnë disa standarde të pranuara të cilësisë”.
Popovci thotë se kjo periudhë duhet të shërbejë që edhe institucionet e arsimit të lartë të punojnë në drejtim të përmbushjes së kritereve për riakreditim.
“Mendoj se pushimi i regjistrimeve për një vit nuk i dëmton aspak universitetet publike, pasi fondet e tyre nuk varen nga pagesat e studentëve. Përkundrazi, kjo bën të mundur që, brenda një viti, ato të përgatiten për akreditimin e radhës, duke mos lejuar të dështojnë edhe një herë, sepse, në atë rast do të pasonte mbyllja e tyre”, tha ai.
Kujtojmë se universitetet publike të cilat nuk janë akredituar kishin marrë vërejtje të shumta nga ekspertët ndërkombëtarë për punën e tyre. Universitet, ishte theksuar se nuk kishin përmbushur një numër të konsiderueshëm të standardeve të cilat kërkohen si; vizioni, cilësia, strategjia, stafi dhe elemente tjera./FaktePlus