Një shtet i madh i mbylli shkollat për shkak të koronavirusit
Irani i ka mbyllur të gjitha shkollat dhe ka ndërmarrë një varg masash, për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Saeed Namaki, tha në një konferencë për media se të gjitha shkollat dhe univerisitetet do të mbeten të mbyllura deri më 20 mars.
Ai po ashtu njoftoi për ngritjen e pikave të kontrollit, për të kufizuar udhëtimet midis qyteteve të mëdha.
“Njerëzit nuk duhet ta konsiderojnë këtë si mundësi për të udhëtuar. Ata duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i marrin seriozisht paralajmërimet tona”, tha Namaki.
Këto masa vijnë pasi autoritetet kanë njoftuar se numri i njerëzve të vdekur në Iran nga COVID-19 – sëmundje që shkakton koronavirusi – ka arritur në 107.
Në total, 3,153 njerëz janë të infektuar në Iran, shkruan REL.
Koronavirusi është gjetur pothuajse në të gjitha provincat e Iranit, tha të mërkurën presidenti i këtij vendi, Hassan Rohani.
Shumë ekspertë druajnë se numri i vërtetë i të vdekurve dhe të infektuarve në Iran mund të jetë shumë më i lartë.
Falja e Xhumasë këtë javë është anuluar në të gjitha provincat e Iranit, për shkak të koronavirusit.
Koronavirusi e ka origjinën në Kinë, ku rastet e para janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar.
Që atëherë, ai është përhapur në më shumë se 60 vende të botës.
COVID-19 ka vrarë më shumë se 3,000 njerëz dhe ka infektuar dhjetëra mijëra të tjerë, kryesisht në Kinë.