Një pjesëtar i FSK-së i infektuar me koronavirus
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se asnjë pjesëtar i FSK-së në Kosovë nuk rezulton i prekur me COVID-19, por është një i infektuar që ndodhet me mision jashtë vendit.
Megjithatë, Quni, në RTV Dukagjini, thotë se Kosova ka shumë pjesëtarë ushtarakë me detyra dhe misione në vende të ndryshme të botës.
“Ka një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të FSK-së siç janë atashetë ushtarakë me misione apo trajnime ushtarake jashtë vendit. Deri tani vetëm njëri prej tyre rezulton i prekur me COVID-19 derisa ishte në një trajnim”.
Quni nuk ka dashur të tregojë vendin ku është infektuar ushtaraku, duke konsideruar këtë si deskrecion shtetëror.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes thotë se me të janë në kontakt dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ai madje as që e ka vërejtur që është i infektuar, por kur ka bërë testet si gjithë pjesëtarët tjerë, ka rezultuar pozitiv”.
Duke folur për rolin e FSK-së në menaxhimin e pandemisë, Quni thotë se për momentin FSK bën transportimin e udhëtarëve nga aeroporti apo kufiri tokësor si dhe vendosjen e tendave nëpër qendra të ndryshme mjekësore.