Një në gjendje kritike dhe dy në gjendje të rëndë, gjithsej 9 pacientë me COVID-19 po trajtohen në QKUK
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë të shtrirë nëntë pacientë të prekur nga sëmundja COVID-19 që po marrin trajtim shëndetësor, ndërkaq tre prej tyre janë në gjendje më të rënduar.
Sipas njoftimit të Klinikës Infektive aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë 11 raste, por vetëm 9 janë me Covid-19.
Prej të prekurve me COVI-19, tani për tani 5 raste janë në gjendje stabile, kurse rastet tjera kanë gjendje më të rënduar.
“Nga 9 pacientët e infektuar me Covid 19, 5 pacientë janë në gjendje stabile, ndërsa 1 pacient është me gjendje të rënduar dhe trajtohet në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 pacientë janë në Repartin e Mjekimit Intensiv duke u trajtuar (2 raste janë në gjendje të rëndë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe 1 rast është në gjendje kritike dhe në ventilim mekanik)”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bazuar në raportin e Klinikës Infektive thuhet se janë në pritje të rezultateve edhe 2 pacientë që mund të jenë të prekur me Covid-19.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 1004 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 772, ndërsa janë 29 persona që kanë vdekur si pasojë e Covid-19, shkruan FaktePlus.