Një muaj paraburgim të dyshuarit për dhunim dhe vrasje të 11 vjeçarit
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.Osmani, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Dhunim’ të 11 vjeçarit në Fushë Kosovë.
Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit S.O. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 187 par.1 nën par.1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, për faktin se nëse i pandehuri do të gjendej në liri i njëjti mund të ik, të fshihet me qëllim të shmangies nga procedura penale, mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, mund të ndikojë në dëshmitarë dhe ekziston rreziku i përsëritjes së veprës së njëjtë apo të ngjashme penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./FaktePlus