Një javë pas dënimit të Agim Ademit, këta janë kandidatët për Kryetar të FFK-së
Kur kanë kaluar një javë nga dënimi me 9 muaj burg efektiv për Presidentin aktual të FFK’së, Agim Ademin, tashmë po rritet numri i kandidatëve të mundshëm për postin e të parit në FFK”.
Më 26 shkurt, Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, iu vërtetua dënimi prej nëntë muajsh burg efektiv.
Agim Ademi dhe Muharrem Rama ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprën penale të detyrimit në tentativë, në korrik të vitit të kaluar. Kurse, më 26 shkurt dënimi iu vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila i konsideroi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe avokatëve mbrojtës.
Ish zëvendës sekretari i përgjithshëm i FFK’së, Arianit Ahmeti, muaj më parë kishte zbuluar se do të kandidojë për postin e të parit në FFK, e pas tij Gazeta Metro kishte raportuar ekskluzivisht se edhe trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli, kishte kontaktuar me disa klube për t’i kërkuar përkrahje në kandidimin e tij.
E tash, Remzi Ejupi, Eroll Salihu, Muharrem Sahiti dhe Bakir Burri, pritet që të kandidojnë për pozitën e Presidentit të FFK’së.
Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që kësaj gare t’i hyjë edhe Gramoz Vokrri. Djali i legjendës dhe ish Presidentit të FFK’së, shihet si person që mundet të unifikojë grupacionet të cilat janë krijuar.
Dënimi me burg i Agim Ademit – Kosova rrezikon të përjashtohet nga FIFA dhe UEFA