Një grua amerikane është arrestuar si udhëheqësja grupit të femrave të “Shtetit Islamik”
Një grua amerikane është arrestuar dhe akuzuar për organizimin dhe drejtimin e një batalioni vetëm me femra të grupit “Shteti Islamik”.
Allison Fluke-Ekren, një nënë që dikur jetonte në Kansas të SHBA-së, dyshohet se ka trajnuar gra dhe fëmijë për të përdorur pushkët AK-47 dhe jelekët vetëvrasës në Siri.
Ajo gjithashtu dyshohet se ka rekrutuar operativë për një sulm të mundshëm në të ardhmen në një kampus kolegji në SHBA.
Fluke-Ekren mund të përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtore, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Detajet e ankesës janë dhënë në një deklaratë të FBI-së nga viti 2019, e cila u publikua të shtunën pasi Fluke-Ekren u kthye në SHBA për t’u përballur me akuzat.
Aty shkruan se në vitin 2016 një batalion i ISIS-it i përbërë nga femra, i njohur si Khatiba Nusaybah, u krijua në Raqqa të Sirisë. Në atë kohë, qyteti ishte kryeqyteti de fakto i grupit të Shtetit Islamik.
Thuhet se batalioni përbëhej vetëm nga pjesëtare femra të “Shtetit Islamik” që ishin martuar me luftëtarë meshkuj të këtij grupi.
Fluke-Ekren dyshohet se u bë drejtuesja dhe organizatorja e grupit menjëherë pasi u bashkua me të. Tutje thuhet se roli i saj kryesor ishte të mësonte gratë se si të mbroheshin kundër armiqve të organizarës.
Ajo akuzohet gjithashtu se i mësoi fëmijët të përdorin armë sulmuese dhe në deklaratën e FBI-së një dëshmitar citohet të ketë thënë se një nga djemtë e Fluke-Ekren është parë duke mbajtur një automatik. Në atë kohë ai ishte 5 ose 6 vjeç.
Ajo gjithashtu dyshohet se i tha një dëshmitari që për dëshirën e saj të kryejë një sulm në një qendër tregtare duke përdorur eksplozivë dhe përmendet që ka thënë se do të ishte humbje burimesh nëse nuk do të vriste shumë njerëz.