Një foshnje tetëmuajshe dhe dy fëmijë me koronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive
Në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 60 pacientë me koronavirus, pesë prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe një pacient është i intubuar.
Kjo është bërë e ditur nga, Arben Vishaj, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në mesin e personave të hospitalizuar, tregon Vishaj, janë edhe tre fëmijë, njëri prej tyre 8-muajsh dhe dy të tjerët janë 1 vjeç deri 1 vjeç e gjysmë.
“Sot në ora 11:30,për fakt të keq një person ka vdekur nga koronavirusi. Pacienti që ka humbur betejën me COVID-19, ka pasur sëmundje shoqëruese paraprakisht. Ky është pacienti i 21 i cili ka vdekur nga koronavirusi”, tha Vishaj.
Në Klinikën Infektive po ashtu janë duke u trajtuar edhe dy gra shtatzëna, gjendja e së cilave, sipas Vishajt, është e mirë.
Kosova aktualisht ka konfirmuar 731 raste me koronavirus, ndërsa 165 janë shëruar.