Një ditë pas pezullimit të Ligjit për Paga, kështu përgjigjet Avokati i Popullit (Video)
Gjykata Kushtetuese tashmë ka pezulluar Ligjin e ri të Pagave. E, si pasojë e kësaj punëtorët e sektorit publik nuk do t’i marrin pagat me rritje. Kjo ka shtyrë shumë sindikata të shprehin pakënaqësi, madje ajo e arsimit dhe shëndetësisë nga sot kanë filluar edhe me greva, shkruan FaktePlus.
Por, një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që tronditi sektorin publik dhe për këtë shkak disa nisën grevat, është deklaruar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Në një intervistë të dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Jashari ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë vendimin e Kushtetueses, por se sqaron se rreth këtij ligji ka pasur pakënaqësi të shumta.
“E dërguam në Kushtetuese për shkak të interesit të përgjithshëm, sepse nëse vonohet dërgimi i saj komplikimet janë shumë më të mëdha në komplet sistemin dhe për këtë arsye ka qenë e rrugës që sa më shpejtë që është e mundur për shkak se ka pas 35 ankesa grupore prej sindikatave dhe institucioneve të ndryshme dhe nëse ne kemi kërkuar edhe masën e përkohshme për pezullim kjo nënkupton që dëmi është i pariparueshëm pastaj për sistemin. Unë mendoj se pikërisht për arsye të kësaj është dashur të dërgohet menjëherë dhe jo me prit më tepër sepse nëse lihet me prit më tepër atëherë vet masa e përkohshme nuk ka kurrfarë kuptimi”, ka thënë Jashari.
I pyetur rreth asaj se përse e ka dërguar në Kushtetuese Ligjin e pagave vetëm katër ditë nga hyrja në fuqi dhe nuk ka pritur sa të krijohen institucionet e reja të vendit, Jashari tha se ka vepruar sipas ligjit dhe kjo është bërë për shkak të interesit publik.
“Unë kam vepru në pajtim me ligjin, nëse kërkohet prej meje me vepru në kundërshtim me diçka që e ka përcaktu ligji, atëherë nuk po besoj që është korrekte prej askujt sepse në ligj është e qartë dhe shumë mirë e shkruar pse kërkohet masa e përkohshme edhe pse dërgohet ajo, edhe Gjykata Kushtetuese megjithatë vendosi dje kështu që duhet me respektu vendimin e Gjykatës Kushteteuse, është në kompetencën ekskluzive të saj që ta bëjë vlerësimin sepse ata veç i kanë vlerësuar pasojat e pariparueshme që mund të shkaktojë eventualisht zbatimin e një ligji të tillë”, ka pohuar avokati Jashari.
Jashari ka komentuar edhe grevat e sotme në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, duke thënë se ato janë vendime jo të duhura.
Edhe pse dërgimi në Kushtetuese bëri që Ligji i Pagave të pezullohet dhe të nisin greva e vendi rrezikon të shkoj në krizë sociale, Jashari thotë se nuk ndjehet aspak fajtor.
“Mendoj që është një pyetje goxha hipotetike, nëse ndodhë kjo, mundeni me u ndi ju keq, mendoj aspak jo nuk po ndihem për faktin që ne kemi autorizime komplet të Kushtetueses, nëse kjo kushtetutë është në fuqi dhe ky ligj është në fuqi edhe ka pas shqetësime të drejtës së ankesës atëherë nuk po e kuptoj pse duhet të ndodhë një krizë sociale”, ka deklaruar Jashari, për FaktePlus.
Ai mes tjerash ka folur edhe për pagën mesatare në Institucionin e Avokatit të Popullit.
E, sa i përket ankesave të qytetarëve Jashari ka thënë se që nga viti 2015, ankesat vetëm sa kanë shënuar rritje./FaktePlus