Nixha: 14% e importeve nga Serbia janë zëvendësuar me prodhime vendore që nga vënia e taksës
Ekonomisti Agon Nixha thotë se taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria për produktet serbe dhe ato të Bosnjës, ka pasur ndikim pozitiv tek prodhuesit vendor dhe ndikim jo shumë të madh në rritjen e çmimeve.
Sipas tij, bazuar në të dhënat e nxjerra deri më tani, 14 për qind e importeve nga Serbia janë zëvendësuar me prodhime vendore.
Nixha thotë se, vlera e importeve të realizuara nga Serbia dhe Bosnja është rreth 117.4 milionë euro më e vogël se sa do të duhej ishte sikur të mos kishte qenë taksa.
Postimi i plotë:
Sado që taksa 100% në importet ndaj Serbisë dhe Bosnjës është vënë për qëllime politike, neve ekonomistëve na takon të provojmë ta bëjmë matjen e ndikimit të saj (të përafërt) në ekonominë vendore.
Meqenëse deri më sot nuk kam parë ndonjë analizë për ndikimin ekonomik të saj, mora mundin ta bëj një eksperiment të vogël statistikor, duke u mbështetur në të dhëna të ASK-së. Kjo mini-analizë le të kuptohet më shume si një angazhim për të provokuar mendime tjera në këtë drejtim, së sa ndonjë tendencë për të zgjidhur dilemën e taksës. Për ata/ato që nuk janë të interesuar në detale metodologjike, konstatimi është siç vijon. Ndonëse periudhë e shkurtër, taksa ka pasur ndikim pozitiv tek prodhuesit vendor, dhe ndikim jo shumë të madh në rritje të çmimeve. Gjatë periudhës janar-mars 2019, rreth 14% (rreth 16 mil. EUR) e importit (potencial) nga Serbia është mbuluar nga prodhuesit vendor. Në anën tjetër, ndikimi në rritje të çmimeve është jo më shumë se 3%. Për sqarim, ndikimi në të hyrat buxhetore si rezultat i zëvendësimit të importeve nuk është analizuar.
Sikur norma e rritjes së importeve të ishte rreth 8% siç ka qenë në tremujorët paraprak kur nuk kishte taksë, në periudhën janar-mars 2019, importet nga Serbia dhe Bosnja do të arrinin vlerën 120.7 mil. EUR; ndërsa importet e përgjithshme, 708.1 mil. EUR. Taksa ka bërë që realiteti të jetë ndryshe. Vlera e importeve të realizuara nga Serbia dhe Bosnja është rreth 117.4 mil. EUR më e vogël se sa do të duhej ishte sikur të mos kishte qenë taksa; ndërsa vlera e importeve të përgjithshme, duke e korrigjuar normën e inflacionit prej 3% sipas ASK-se, është rreth 16.5 mil. EUR më e vogël. Nëse kjo përllogaritje matematikore qëndron, mund të konstatojmë që afërisht 14 përqind (16 mil. EUR/117.4 mil EUR) e importeve (potenciale) nga Serbia janë zëvendësuar me prodhime vendore, përderisa shuma tjetër është importuar nga partnerët tjerë. Sidoqoftë, këto të dhëna duhet të interpretohen me kujdes, duke qenë se, përveç tendencës për thjeshtëzime, nuk marrin për baze mundësinë e kontrabandës në kufi. Për më shume informata, shih tabelën dhe figurën më poshtë.