Nisma tregon se a merr pjesë në takimin e thirrur nga Hoti
Pas thirrjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takim në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Avdullah Hoti ka ftuar në takim të gjithë liderët e partive.
Kosova është para dy proceseve, të organizuara nga vendet partnere të saj, SHBA në njërën anë, dhe BE në anën tjetër, e të cilat kanë të njëjtin qëllim, dialogun me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.
E pas thirrjes që takimi ndërmjet dy palëve Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor të fillojë në Shtëpinë e Bardhë në Uashingon, kryeministri Avdullah Hoti ka ftuar në një takim të gjithë liderët e partive.
Kësaj thirrje të Hotit i është përgjigjur menjëherë edhe Nisma Socialdemokrate, subjekt ky që është pjesë e koalicionit qeverisës.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se nesër do të marrin pjesë në takimin e kërkuar nga Hoti.
“Po sigurisht, kryetari Limaj do të merr pjesë në takim, pasi që ne jemi pro dialogut”, pohoi Shala.
Ai gjithashtu tha se shpreson që takimi i 27 qershorit në SHBA të ndikojë në përshpejtimin e marrëveshjes Kosovë- Serbi.
“Ne jemi që dialogu të fillojë sa më shpejtë që të jetë e mundur, e ky dialog duhet të përfundojë me njohje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Besojmë që takimi në Shtëpinë e Bardhë do të ketë ndikim në përshpejtimin e kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Shala.
Kurse partia që udhëhiqet nga Albin Kurti nuk do të merr pjesë në takimin që ka thirrur për nesër kryeministri Hoti.
Këtë e kanë bërë të ditur nga LVV-ja derisa kanë thënë se kjo qeveri është e paligjshme dhe nuk ka kredibilitet.
“Kjo qeveri është e paligjshme. S’ka as kredibilitet e as legjitimitet. E, ftesa e saj për takimin e sotëm as nuk ka ardhur e as nuk ka pasur nevojë ta nisin”, ka thënë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Kjo masë u zëvendësua me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit./FaktePlus