Nisma kërkon që me ligj të pastrohen institucionet nga njerëzit me aktakuza
Në kohën kur Kadri Veseli mori vendim për largimin e njerëzve të PDK-së me aktakuza që janë pjesë e institucioneve, por edhe udhëheqës në parti, partia tjetër e koalicionit qeverisës, Nisma Socialdemokrate, ka iniciuar hartimin e ligjit për pastërtinë e figurës së personave publik.
Tashmë, Komisioni për Legjislacion ka formuar grupin punues për hartimin e projektligjit për Pastërtinë e Figurës së Personave Publik, i cili së shpejti pritet të nisë punën për hartimin e këtij projektligji.
Kryetari i këtij grupi punues, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se çështja e pastrimit të institucioneve nga njerëzit me probleme qoftë ligjore qoftë natyrave tjera, duhet të rregullohet me ligj.
Ai ka thënë se pikërisht për këtë kanë iniciuar nismën për hartimin e projektligjit për pastrimin e figurës së personave publik.
“Ligji është në procedurë dhe ne besojmë që kjo çështje do të rregullohet me ligjin për pastërtinë e figurave publike, ajo që quhet Vetingu. Komisioni për Legjislacion ka formuar një grup punues, unë jam kryetar dhe shumë shpejt, besoj që ky ligj do të jetë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në fillim të sesionit të ardhshëm, do të thotë sesionit vjeshtor. Por, njëherë jemi në nivel të grupit punues. Unë jam duke pritur që sekretaria e Komisionit që ta caktojnë një datë kur do të filloj punën grupi punues, ku do t’i ftojë të gjithë akterët e shoqërisë, qoftë nga politika, shoqëria civile, që të jetë pjesë e përgatitjes së këtij ligji të propozuar nga deputeti Zafir Berisha që të gjitha së bashku ta bëjmë një ligj të mirë për pastërtinë e figurave publike”, ka thënë Sherifi për FaktePlus.
Ai me tutje ka shtuar se me këtë projektligj synohet që të jepet përgjegjësi secili për veprimin e vet qoftë para 99-tës, qoftë pas luftës me veprime korruptive apo formave tjera.
“Me ligj të gjithë duhet të japin përgjegjësi për të gjitha të bëmat si para vitit 1999 për bashkëpunimin me Serbinë, si pas luftës përmes krimit e korrupsionit”, shtoi deputeti Sherifi.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme të PDK-së, ku Kadri Veseli u rizgjodh kryetar i partisë, menjëherë mori vendim që të gjithë bashkëpartiakët e tij që kanë aktakuza dhe kanë probleme me ligjin të largohen nga institucionet, por edhe nga postet që mbajnë brenda partisë.
Tashmë ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri Agim Çeku, kryetari i degës së PDK-së në Gjilan Qemajl Mustafa, kanë konfirmuar dorëheqjet nga pozitat që kanë mbajtur pas vendimit të shefit të tyre të partisë./FaktePlus