Nisma e Vetëvendosje akuzojnë njëra-tjetrën për seks e orgji, reagon KQZ e QNR (VIDEO)
Akuza të shumta, madje edhe të ulëta janë bërë gjatë ditës së premte mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismes Socialdemokrate.
Kësaj, radhe që të dyja subjektet politike kanë akuzuar njëra-tjetrën për presion ndaj vëzhguesve në Qendrën e Rinumërimit dhe Rezultateve (QNR), ku po numërohen mbi 1 mijë vendvotime, shkruan FaktePlus.
Ishte e para Nisma Socialdemokrate e cila tha se anëtarët e Vetëvendosjes po ushtrojnë presion ndaj vëzhguesve në QNR. Por, Vetëvendosje reagoi menjëherë duke thënë se anëtarët e Nismës po tentojnë të ndryshojnë edhe rezultatin në kuti të votimit.
Madje, aktivistët e LVV i kanë akuzuar ata të Nismes edhe për ngacmime seksuale, kurse këta të fundit ia përmenden Vetëvendosjes orgjinë në parti.
Por, gjithë këto pretendime duket se janë vetëm lojë politike. Kjo pasi të gjitha i ka hedhur poshtë Koordinatori i Qendrës për Numërimin e Rezultateve Burim Ahmetaj.
“Nuk i komentoj deklaratat e subjekteve kështu që nuk kam çka të shtoj në këtë aspekt. Faktikisht Qendra e Rinumërimit dhe Rezultateve është duke punuar në bazë të procedurave të brendshme të QNR-së dhe secili staf që punon brenda këtij objekti është i obliguar të punojë duke respektuar procedurat e që janë strikte, pra do të thotë secili formular dhe secila votë po ashtu do t’i nënshtrohet procedurave. Kështu që jashtë procedurave në QNR nuk është duke u bërë asnjë proces dhe nuk mund të themi se kemi parregullsi”, ka thënë ai.
Ndaj këtyre akuzave mes të dyja partive ka reaguar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.
Ajo u ka bërë thirrje partive politike që të mos dëmtojnë procesin e rinumërimit.
E, për mbarëvajtjen e procesit të rinumërimit ka folur edhe Ahmetaj.
Ai ka thënë për FaktePlus se procesi është duke rrjedhur normalisht.
“Procesi është duke rrjedhur normalisht , aktualisht deri në këto momente janë rinumëraur 176 vendvotime dhe 33 janë në proces që konsiderojmë që për këto ditë sa kemi punu kemi një numër mjaftueshëm të paraparë për rinumërim”, ka thënë ai.
Ndërsa, ka treguar se në QNR do të rinumërohen 1407 vendvotime e jo 1472 siç është thënë nga PZAP-ja e as 1428 siç është thënë nga KQZ-ja.
“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka analizuar listën të cilën e ka siguruar nga PZAP-ja , pra në bazë të vendimit thuhet se bëhet fjalë për 1472 vendvotime por në pas krahasimeve që i kemi bërë në listë gjenden vetëm 1470 vendvotime që duhet të rinumërohen por prapë se prapë QNR-ja ka bërë analizë dhe krahasime të atyre vendvotimeve që gjenden në listë dhe prej tyre rezultojnë se 38 vendvotime janë të shënuara më shumë se njëherë, pra janë dy herë të shënuara, 18 vendvotime vetëm kanë qenë të rinumëruara më herët, ndërsa shtatë vendvotime nuk janë të qarta se për çfarë vendvotime bëhet fjalë që praktikisht i bjen i padefinuar ai vendvotim. Ndërsa, numri total i vendvotimeve që do të rinumërohen në QNR është 1407”, ka thënë ai.
Ahmetaj, ka thënë se derisa është duke vazhduar rinumërimi nuk mund të thotë asgjë rreth asaj se a do të ketë ndryshim të rezultateve qoftë për subjektet politike, e qoftë edhe për kandidatët.
Sipas tij procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve pritet të përfundojë për dy javë./FaktePlus