Nisma e Veselit për krijimin e Komisionit Hetimor për veteranët konsiderohet e dështuar
Kryeparlamentari Kadri Veseli në mesditën e sotme kërkoi krijimin e formimit të një Komisioni Hetimor që do të verifikojë listat e veteranëve.
Nismë kjo e cila nga njohësit e çështjeve juridike, analistët dhe deputetë të opozitës konsiderohet ndërhyrje në drejtësi, meqë me çështjen e listave të veteranëve po merret prokuroria e gjykata. Po ashtu Komisionet Hetimore Parlamentare sipas analistëve nuk po prodhojnë efektin e dëshiruar.
Ndërkohë që deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Anton Quni, i kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus nuk qe i gatshëm të komentojë këtë iniciativë. Madje, Quni ka thënë nesër do të dalin me qëndrim për këtë teme,pasi ta diskutojmë me grupin parlamentar. Kjo nismë e Veselit po supozohet të ketë të bëjë edhe me çështjet e brendshme brenda koalicionit.
Ndërkaq, avokati, Leon Përlaska, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, thotë se krijimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me listat e veteranëve dëmton procesin në gjykatë e që si përfundim ai thekson se kjo nuk do ta zbardhte të vërtetën.
“Konsideroj se krijimi i Komisioneve Parlamentare Hetimore lidhur me këtë rast por edhe në raste tjera si e kemi pas në të kaluarën, më shumë ndikojnë drejtpërdrejt në drejtësi sesa e ndihmojnë zbardhjes së vërtetës apo sa i ndihmojnë drejtësisë. E aq më tepër te ky rast, duke pas parasysh që lidhur me këtë rast veçse ka filluar procesi gjyqësor, prokuroria, gjykata janë duke u marrë në këtë rast, hetimet janë duke u zhvilluar. Prandaj, formimi i komisionit hetimor lidhur me listat e veteranëve konsideroj se dëmton procesin në gjykatë. Komisionet hetimore si përfundim nuk nxjerrin dhe nuk mund të nxjerrin diçka në dritë, që do të kishte zbardhur të vërtetën apo të ndihmonte këtë proces”, tha Përlaska.
E në rast se ka dëme dhe parregullsi në listat e veteranëve Përlaska thotë, se këtë gjë e ka krijuar vetë politika, por siç thotë ai dyshimet për këtë çështje duhet t’i zgjidh gjykata.
“Nëse ka dëme dhe parregullsi është politika ajo që e ka shkaktuar atë dëm dhe parregullsi. Tash pjesa kryesore, ose barra kryesore duhet t’i kalojë Gjykatës që ta vërtetojë nëse ka parregullsi, sepse gjitha ato janë dyshime”, thekson Përlaska për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
E Artan Murati nga Institutit Demokratik i Kosovës (KDI), për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, tha se Kuvendi e ka bërë shprehi krijimin e Komisioneve Hetimore Parlamentare. Madje thekson se çështjen e listave të veteranëve duhet ta zgjidhin gjykatat, kurse deputetët të luajnë rolin e tyre ligjvënëse gjë të cilin siç tha ai nuk po e bëjnë.
“Kuvendi e ka bërë shprehi krijimin e komisioneve, nuk është kjo hera e parë. Ka tendenca të ndërhyrjes në gjyqësi. Mundem edhe ta kuptoj tendencën e Veselit për me dashtë me zbardhë ndoshta këtë situatë të krijuar, por kjo nuk është mënyra e duhur meqenëse është një procedurë gjyqësore të cilës duhet t’i dhënë verditkti përmes gjykatës. Komisionet Parlamentare nuk është se po prodhojnë efektin e dëshiruar. Ne po e shohim se edhe në të kaluarën, por edhe brenda këtij viti ka pasur tri komisione hetimore dhe vetëm kjo për turqit ka përfunduar raporti dhe mbetët të shihet. Kështu që konsideroj se është e duhur qasja që kjo çështje të zgjidhet përmes gjykatës, kurse deputetët duhet të ruajnë rolin e tyre ligjvënës e që nuk janë duke e luajtur si duhet sepse e shohim që Kuvendi nuk është duke përformuar mirë dhe nuk është efikas”, tha Murati.
E deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendose, Rexhep Selimi përmend dy probleme të mëdha në këtë nismë të kryeparlamentarit Veseli.
“Nisma e kryetarit të parlamentit për ta formuar një komision hetimor parlamentar për një çështje që është tashmë në proces gjyqësor i ka dy probleme të mëdha. Problemi i parë është që kjo çështje është në proces gjyqësor dhe anëtarët e komisionit tashmë janë të akuzuar për manipulim me këto lista, shumica prej tyre jo të gjithë. Dhe problemi i dytë është se si mund të kërkojmë të krijojmë një komision hetimor parlamentar kur vetë parlamenti është jashtë funksionit. Ka tash e një vit që Parlamenti nuk arrin të bëjë shumicën, e ka rreth një javë parlamenti nuk arrin as të mblidhet. Prandaj, formimi i një komisioni të tillë hetimor parlamentar është thjesht prolongim i zgjidhjes së këtij problemi”, tha Selimi.
Poashtu edhe Selimi thotë se krijimi i një komisioni të tillë nuk do të ketë efekt.
“Përderisa kjo çështje është duke u trajtuar nga drejtësia, së paku nuk ka efekt një komision hetimor parlamentar sepse nuk mund ta nxjerrë këtë çështje nga dosjet e drejtësisë”, thekson Selimi.
Ndërkohë që Selimi supozon që kjo nismë e Veselit ka të bëjë me raportet e brendshme të koalicionit qeverisës.
“Supozojë që kjo ka të bëjë edhe me raportet e brendshme të koalicionit qeverisës”, përfundon Selimi.
Ndërkaq, kjo çështje ka bërë që nesër të mblidhet Grupi Parlamentar i LDK-së. Kështu ka treguar për FaktePlus, deputeti i kësaj partie Anton Quni. Megjithatë, Quni nuk ka dashur të komentojë këtë iniciativë të Veselit.
“Më duhet të marrë më shumë informata për të dhënë një deklaratë kredibile. Nesër kemi mbledhje të grupit parlamentar lidhur me këtë çështje e më pas do të dalim me qëndrim të përbashkët. Më duhet kohë dhe më duhet me pas një bashkërenditje me grupin parlamentar”, tha ai.
Kujtojmë që në shtator të 2018-ës, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.
Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.
Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.