Nisma e Agim Bahtirit për bashkim po shqyrtohet nga Qeveria

Vendimi që mori ditë më parë Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut për bashkimin e qytetit të Mitrovicës në një komunë të vetme është pranuar nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe po shqyrtohet për të vlerësuar ligjshmërinë e këtij vendimi.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, është i bindur se ideja e tij do të jetësohet dhe Mitrovica do të bashkohet, ashtu siç ishte para se ajo të ndahej në dy komuna.
Në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, kryetari Bahtiri ka thënë se vendimi i marr nga komuna që ai drejton, po shqyrtohet në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, meqë procedurat janë të tilla.
“Janë procedurat, janë procedurat që duhet të kryhen nga ana e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, pastaj do të vazhdohet tutje”, ka thënë kryetari.
Kreu i Mitrovicës së Jugut, po ashtu ka shtuar se bashkimi i qytetit të Mitrovicës nuk ka rrugë tjetër, pavarësisht kundërshtimeve të idesë së tij.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se e kanë pranuar vendimin e Mitrovicës së Jugut për bashkimin e qytetit në një komunë, duke thënë se janë duke shqyrtuar.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka pranuar Konkluzionin e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Jugut, datë 30.11.2018 lidhur me “Inicimin e ndryshimit të Ligjit 03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave me qëllim bashkimin e Mitrovicës”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.
Në bazë të mandatit të saj, MAPL ka thënë se do të shqyrtojë këtë vendim dhe do të vendos për ligjshmërinë e saj.
“Konform mandatit të saj, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të shqyrtojë këtë Konkluzion dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi, do të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së tij brenda afatit ligjor të përcaktuar me Ligjin Nr 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale”, thuhet me tutje në përgjigjen e Ministrisë për FaktePlus.
Me kërkesë të kryetarit, Agim Bahtiri, ishte thirrur mbledhja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, më 30 nëntor 2018, për ta votuar iniciativën e tij për bashkimin e Mitrovicës.
Në mbledhjen urgjente të Kuvendit të Komunës, ishte aprovuar unanimisht me votat e 31 këshilltarëve të pranishëm, konkluzioni me të cilin kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të inicioi ndryshimin e ligjit Nr. 03/L-041 për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim të bashkimit të qytetit të Mitrovicës në një komunë./B. Syla-FaktePlus


Lajme nga kategoria
Më të lexuarat
Koreja e Veriut kryen “test të ri kritik”
