Nisin punimet në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë
Sot kanë nisur punimet në segmentin e ri Lumëmadh-Gojbule, të rrugës Nacionale M2 Prishtinë-Mitrovicë, ku kanë marrë pjesë krerët e shtetit.
Këto punime po bëhen me anë të huamarrjes nga fondi saudit per zhvillim dhe OFID, e që ky segment prej 9.7 kilometrash kushton rreth 24 milionë euro.
I lumtur me këtë u shpreh kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili deklaroi:
“Më vjen mirë që pas një periudhe kohore të pritjes së finalizimit të të gjitha procedurave për financim tash jemi në ditën e nisjes, po nisim me pjesën e operimit të kësaj autorruge, duke iu afruar Mitrovicës.
“Nuk është e tepërt të thuhet se është një ndër rrugët më të rëndësishme të vendit tonë. Rrugë strategjike, që na lidh me Mitrovicën, na lidh me ekonominë e vendit tonë dhe të Serbisë.
“Do të ndërtojmë rrugë, do të ndërtojmë e do të hapim ura”.
Aty foli edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili deklaroi se sot për qyteratët e tij është një ditë e gëzuar meqë qyteti i tyre po bashkohet me autostradën.
“Qytetarët tanë kanë pasur probleme për qarkullim në këtë aks rrugor. Ne jemi shymë afër Prishtinës por kemi pritur shumë për nisjen e kësaj rruge”.
“Të përfundojë brenda afatit ligjor e të mos kemi vonesa, sepse na dalin probleme me qytetarët. Ju ofrojmë mbështetje që të mos dalin probleme në implementimin e saj”, u shpreh ai.
Në këtë fillim të punimeve e pranishme ishte edhe deputetja Xhevahire Izmaku, e cila luti operatorët që ta kryejnë punën sa më shpejt, duke thënë se na pret një verë e mirë dhe na vijnë shqiptarët nga diaspora dhe se duam që edhe ata ta shijojnë.
Shumë i lumtur më këtë investim u pa edhe Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, i cili u shpreh se “nuk ka diçka më të lumtur kur qeveria investon në faktorin ekonomik, në levizjen e lirë të qytetarëve, në transportimin e mallrave. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur ne ndërtojmë ura për të lidhur qytetet e qytetarët”.
“Kjo e lidhë gjithë hapësirën që quhet Kosovë”.
“Qytetarë ta gëzoni” – uroi Lekaj.