Nisin hetimet për kosovarin i cili u gjet i vdekur në një burg në Britani
Kosovari Liridon Saliuka, 29 vjeçar, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në Belmarsh të Britanisë së Madhe.
Autoritetet policore që po e hetojnë këtë rast kanë thënë se ai është vetëvrarë, por me këtë nuk pajtohet familja e tij që dyshon për vonesën e obduksionit.
Liridon Saliuka, i cili lindi në Kosovë jetoi në Britani për 20 vjet me familjen e tij dhe kishte pasaportë britanike.
Ai u gjet i vdekur në burgun e sigurisë së lartë në mbrëmjen e hershme të 2 janarit.
Shërbimi i Burgjeve konfirmoi se ai kishte vdekur. Burgu dhe Prokurori i Burgjeve po heton rastin.
Saliuka kishte qenë në paraburgim që nga vera e kaluar kur u arrestua dhe u akuzua për vrasje në lidhje me një të shtënë fatale në një klub në Londër.
Ai kishte mohuar se ishte përfshirë në këtë rast.
Motra e Saliukas, Dita, i tha gazetës “The Guardian” se familjes i ishte thënë se ende nuk është kryer autopsia e trupit dhe se atë mund ta shihnin më pas.
Saliuka i ishte nënshtruar një operacioni të rëndë pasi kishte bërë aksident me veturë dy vjet më parë. Pas këtij aksidenti ai kishte mbajtur pllaka metalike në trup duke ia vështirësuar të ecurit dhe qëndrimin për periudha të gjata.
Dita ka thënë se vëllai i saj fillimisht ishte vendosur në një qeli të veçantë me një dyshek ortopedik, por kohët e fundit ishte transferuar në një qeli standarde.
“Ata nuk e lejuan që ai të bënte një telefonatë që nga Dita e Boksit deri në Ditën e Vitit të Ri, kur unë e pashë atë”, tha Dita.
“Vëllai im tha që njerëzit që kryenin vetëvrasje ishin të dobët dhe egoistë. Kam dëgjuar nga të tjerët që atë ditë kishte pasur një grindje. Ai ishte duke u ngacmuar”.
“Unë e thirra burgun në mënyrë të përsëritur [për të ngritur shqetësime për paaftësinë e tij] por askush nuk m’u përgjigj. Ai u zhvendos në natën e Vitit të Ri dhe tha se kishte fjetur në dysheme sepse dyshekët ishin të papërshtatshëm”.
“Ai ishte në paraburgim. Tani vëllai im kurrë nuk do të jetë në gjendje ta pastrojë emrin e tij në gjyq”.