Specialja e konfirmon, Salih Mustafa i arrestuari i parë
Gjykata Speciale ka nisur arrestimet. Salih Mehmeti, ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, është i arrestuari i parë, ndaj të cilit është konfirmuar aktakuza.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka konfirmuar se tashmë është bërë arrestimi i parë.
“Salih Mustafa u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Ata kanë njoftuar se ish-eprori i UÇK-së është duke u transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka sqaruar se sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.
“Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”.
Familjarët e kanë treguar se Mustafa, sipas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it, është nisur në drejtim të Hagës.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Ministria e Mbrojtjes.
“Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes. Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kur do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Ibrahim Shala.
Mustafa edhe ishte intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, nëntorin e kaluar.
Por, kush është Salih Mustafa.
Mustafa ishte pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim prej vitit 1988.
Mustafa ishte arrestuar nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1993 dhe ishte dënuar me 5 vite burg për organizim të kryengritjes.
E në vitin 1997 Mustafa ishte angazuar për organizim e shtrirje të UÇK-së në Prishtinë, Obiliq, Gjilan, Viti e Kamenicë.
Më pas kishte udhëhequr njësitin gueril të UÇK-së me emrin BIA derisa ishte themeluar Zona Operative e Llapit dhe Karadakut.
Mustafa gjithashtu ishte një nga themeluesit e LKQK-së, ndërsa pas përfundimit të luftës vazhdoi misionin për ndërtim të institucioneve shtetërore.
Mustafa ishte shef i departamentit informativ të TMK-së e më pastaj këshilltar për Inteligjencë i Agim Çekut, sa ishte Kryeministër.