Nis takimi mes partnerëve të koalicionit për taksën
Ka nisur takimi në mes të partnerëve të koalicionit qeveritar Isa Mustafës nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Takimi po mbahet në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa paraprakisht ka thënë se po takohen për kafe me Kurtin.
Kurse, nënkryetarja e LDK, Vjosa Osmani që po e shoqëron Mustafën në takim sqaroi se takimi ka të bëjë me gjetjen e modalitetit ose pajtimit mes anëtarëve të koalicionit rreth heqjes së tarifës 100 për qind.
Të enjten, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ndaj vendimit të kreut të Qeverisë, Albin Kurti i cili bëri të ditur se me 15 mars taksa do të largohet pjesërisht, ndërsa nëse nuk vepron Serbia dhe BE-ja, taksa rikthehet sërish 100 për qind me 15 qershor.
Grenell përmes një shkrimi në Twitter, nuk e ka mbështetur Kurtin, duke thënë se pozicioni i SHBA-së është i qartë, tarifa duhet të largohet tërësisht.
Më tej ai ka theksuar se Kurti me vendimin e sotëm ka bërë gabim shumë serioz.
“Ne nuk e mbështesim heqjen e taksës pjesërisht nga kryeministri Albin Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të largohet plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo iu bë e qartë edhe Presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë Bardhë”, ka shkruar Grenell.