Nis mësimi në shkollat e Kosovës, ky është reagimi i kryesindikalistit Rrahman Jashari
Në shkollat e Kosovës ka nis viti i ri shkollor. Mësimi në shkollat e Kosovës është mbajtur në formë online që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 në muajin mars. Fillimin e mësimit sot është duke monitoruar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës. Për krejt procesin e deritashëm ka folur për FaktePlus, Rrahman Jashari.
Me maska e distancë të theksuar fizike, sot ka filluar viti i ri shkollor pjesërisht në Shkollat e Kosovës.
Fëmijët pas disa muajsh iu janë kthyer bankave shkollore por me disa rregulla të reja.
Institucionet arsimore dhe shëndetësore kanë pohuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që të nisë vitin e ri shkollor, por duke respektuar tri rekomandimet themelore për mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit: mbajtjen e maskës, distancës dhe higjienën personale.
Sipas tyre deri te rikthimi i nxënësve në bankat shkollore ka ardhur pas përmirësimit të situatës epidemiologjike javëve të fundit.
E gjithë këtë proces është duke e monitoruar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK).
Nga kjo sindikatë kanë thënë se deri më tani procesi mësimor është duke shkuar mirë.
Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, ka thënë për FaktePlus se procesi mësimor është duke rrjedhur mirë dhe pa probleme. Ai tha se nëse respektohen rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, mësimi nuk do të ndërpritet.
“ Deri më tani nuk kemi ankesa nëpër shkollat e vendit por që jemi të bindur që ky proces të shkoj mirë dhe nxënësit të vazhdojnë shkollimin. Nëse jemi në përputhje me rekomandimet e dhëna do të jemi në një gjendje të rregullt”, tha Jashari.
Maska, distancë e higjienë: Pamje nga fillimi i mësimit në Prishtinë
Ai tutje ka thënë se SBASHK-ut i është pranuar kërkesë për pagesën e mësimdhënësve të cilët kanë probleme shëndetësore të rënda.
“ Qeveria dhe MASHT kanë arritur që të sigurojnë mjete që kolegët tanë të sëmurë të paguhen dhe të mos shkojnë në shkollë sidomos ata që janë me kancer e sëmundje të tjera të rënda. Zëvendësimi për këta mësimdhënës veq është kryer nga ministria”, tha ai.
Jashari tutje ka pohuar se ndarja e nxënëseve në numër më të vogël nëpër klasa, ka dyfishuar punën e mësimdhënësve. Për këtë Jashari theksoi se mësimdhënësit të cilët kanë normë të dyfishuar, do të kompensohen nga ministria.
“ Duka analizuar kemi biseduar me ministrin Likaj të cilin e përgëzoj për bashkëpunimin, ka ngritur çështjen në qeverie dhe është i garantuar buxhet për mësimdhënësit të cilët kanë mbi normë të orëve për shkak të paraleleve të ndara në grupe më ta vogla të nxënësve. Pra mësimdhënësit e Kosovës të cilët angazhohen jashtë normës do të jenë të kompensuar sepse MAShT e ka pasur kërkesë këtë çështje”, ka thënë.
Ndryshe, në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.
Çdo nxënës duhet të sigurojë maskën personale e cila përdoret gjatë gjithë kohës së qëndrimit në ambientet shkollore. Dezinfektimi i duarve duhet të bëhet pas çdo hyrje dhe dalje nga klasa, sipërfaqet dhe tavolinat duhet të pastrohen rregullisht me dezinfektues sipërfaqësor si dhe udhëzime të tjera.
Ministria e Arsimit ka paraparë që viti i ri shkollor të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A parasheh rikthimin në ambientet shkollore të nxënësve. Skenari B apo mësimi i kombinuar, parasheh rikthimin e pjesshëm me mësim të kombinuar -prezencë dhe mësim në distancë dhe skenari C është mësimi në distancë. /FaktePlus