Nis intervistimi i Sami Lushtakut në Hagë, djali i tij me dedikim për babain
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Drenicës, Sami Lushtaku ka nisur të intervistohet nga zyra e prokurorit të specializuar në Hagë.
Ende nuk dihet se në çfarë cilësie është ftuar Lushtaku për intervistim, në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit.
Derisa brenda po intervistohet Lushtaku, të afërm të tij dhe familjarë po qëndrojnë jashtë objektit në shenjë përkrahje për ish-komandantin e UÇK-së.
Atje po qëndron edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se babai i tij gjithmonë është i gatshëm të dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së.
“Paqe nga Haga. Gjithmonë i gatshëm për të dëshmuar pastërtinë e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njëherë në gjykatat e UNMIK-ut, më pas të EULEX-it, tani në Gjykatën Speciale dhe çdo gjykatë tjetër që do të mund të themelohet në të ardhmen, do të jem gati që ta mbroj luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila ka qenë e drejtë dhe për liri të cilën e gëzojmë të gjithë bashkë në Kosovë”, ka shkruar Mërgim Lushtaku.
Po, deputeti i PDK-së, ka pyetur se kur do të vijë dita për gjykim dhe drejtësi ndërkombëtare për shumë masakra e vrasje në Kosovë nga shteti serb.
“kur do të vijë dita për gjykim dhe drejtësi ndërkombëtare për: Vrasjen e 13,900 civilëve shqiptarë nga shteti serb, Kryerjen e 400 masakrave, Dhunimin e 20 mijë grave shqiptare, Mijëra shqiptarë ende të pagjetur, Spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve. Secili shqiptar, unë dhe ti që po e lexon këtë tekst beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi”, ka shkruar ai.
Për dy ditë rresht nga prokurori i specializuar është intervistuar edhe ish komandanti tjedtër i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi. /FaktePlus