Nis hapja e kufirit Kosovë-Shqipëri
Ka nisur hapja graduale e kufirit Kosovë-Shqipëri. Të parët janë qytetarët e Kosovës të cilët kanë leje qëndrimi apo shtetësi shqiptare të cilët janë lejuar të udhëtojnë për t’u vendosur në pronat e tyre.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi tha se këta qytetarë duhet të vetëizolohen në shtëpitë e tyre, duke respektuar rregullat e qytetit ku do të qëndrojnë.
“Kjo nuk do të thotë që ata nuk mund të dalin jashtë shtëpive dhe banesave të tyre për të kryer shërbime në orare të caktuara siç është për të gjithë qytetarët shqiptarë”tha ai.
Shtimi numrit të rasteve me koronavirus ditëve të fundit në Kosovë e ka vështirësuar marrjen e vendimeve të autoriteteve shqiptare për të cakuar datat e sakta se kur qytetarët e tjerë do të lejohen të qarkullojnë drejt Shqipërisë, megjithatë përmendet muaji qershor.
“Është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë që duhet patjetër që shifrat të shkojnë drejt zeroz që njerëzit e Kosovës të mund të shkojnë drejt territorit të Shqipërisë si dhe ata të Shqipërisë drejt Kosovës. Deti aty është, aty do të jetë. Jam i bindur se qershori, më së largu mesi i qershorit, ose më vonë nëse jemi strikt, ne do t’i afrohemi më shumë detit, në të kundërtën do t’i largohet”, tha ai Në një intervistë për Tv Klan,
Ka nisur edhe lejimi i qarkullimit të mallrave, por kryesisht ato që vijnë në Portin e Durrësit drejt Kosovës.
Sipas ambasadori Minxhozi, lirimi masiv i mallrave nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas bëhet në kohë të caktuar në një fazë të caktuar.