Ngrihen dyshime se vendimi për rritje të pagës minimale është i jashtëligjshëm
Janë ngritur dyshime se vendimi i ekzekutivit, i marrë të mërkurën që shkoi për rritjen e pagës minimale, është i jashtëligjshëm.
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se nëse për vendimin nuk janë informuar sindikatat dhe odat ekonomike, atëherë vendimi mund të kontestohet në gjykatë për konflikt administrativ.
“Informatat janë që nuk janë konsultuar fare për nivelin e pagës minimale, ne nuk kemi informacione të sakta për këtë çështje. Por nga burimet tona direkt me kryesitë sindikale, vërehet që nuk janë të informuar dhe nuk janë konsultuar për nivelin e kësaj page se a janë të pajtimit apo edhe Odat Ekonomike. Një gjë e tillë në rast se nuk është bërë, është në kundërshtim edhe me ligjin e tanishëm të pagës minimale, për çka do të duhet ta them që, pastaj është vendim i kundërligjshëm, pavarësisht qëllimit të mirë”, ka thënë Jakaj.
Ligji parasheh se për vendimin për rritje të pagës minimale, Qeveria duhet të konsultohet me Këshillin Ekonomik Social ose të paktën të informohet kjo trupë para vendimit.
Këshilli është i themeluar me ligj të veçantë dhe në të theksohet se është i përbërë nga 5 përfaqësues të të punësuarve, në këtë rast sindikatat, pesë anëtarë të tjerë nga organizatat e punëdhënësve, në këtë rast odat ekonomike dhe pesë përfaqësues caktohen nga Qeveria.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshilli Ekonomiko-Social. Në mungesë të një propozimi të tillë nga Këshilli Ekonomiko Social, Ministri përkatës për Financa, pas informimit të Këshillit Ekonomiko Social, mund të parashtrojë një propozim të tillë për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 57 të Ligjit për Pagën minimale.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, ka thënë se nga Qeveria nuk janë konsultuar paraprakisht, por as nuk janë informuar para vendimit.
“Ne jemi informuar përmes mediave, e jo në mënyrë zyrtare e as joformale nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, vetëm kur e kemi parë në media. A ndihemi të anashkaluar, sigurisht që po. Për vetë faktin që nuk na kanë konsultuar dhe nuk janë ulur të diskutojnë me neve ndihemi të anashkaluar. Për më shumë, nëse është tejkaluar procedura e Këshillit Ekonomik Social, që përbëhet nga sindikatat, përfaqësuesit e bizneseve, secili e kemi nga një anëtar dhe ministri tani i Financave që e ka edhe dikasterin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ai me ligj e ka pasur për obligim që të na kërkon t’i delegojmë përfaqësuesit në Këshill dhe bashkë me këshillin ta diskutojmë se çfarë pragu të vendoset”, ka theksuar Rafuna.
Edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se nuk janë kontaktuar nga Qeveria. Hykolli ka theksuar se Këshilli Ekonomik Social është jofunksional që nga fillimi i vitit të shkuar.
“Këshilli Ekonomik Social është themeluar me ligj me qëllim të vendosjes dhe zhvillimit të dialogut social në Republikën e Kosovës për të punësuarit dhe punëdhënësit, për çështje të rëndësisë së veçantë, të cilat kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të tyre ekonomike, sociale dhe profesionale, që realizohen përmes zgjidhjeve të kontesteve me marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe. KES përbëhet nga 15 anëtarë, 5 nga Qeveria, 5 nga punëdhënësit dhe 5 nga BSPK, dhe ka komisionet trepalëshe, po KES nuk është konstituar dhe është jofunksional. Ne si BSPK, me detyrën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve do të veprojmë. Ne e patëm ngritur zërin që në 2022 se pak është 350 euro për pagë minimale, e tash është shumë më pak se më 2022. Paga minimale është diçka që duhet të dalë nga dialogu social, e ai mungon dhe nuk është i duhuri, prandaj duhet veprim sindikal për ta rinisur dialogun e duhur social”, është shprehur Hykolli.
Me futjen në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale në fillim të javës së shkuar, pagë minimale u caktua të jetë 250 euro, por një ditë më pas, Qeveria vendosi që ajo të ngrihet në 350 euro.
Deri tash paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për personat nën 35 vjet dhe 170 për ata deri në moshën e pensionit.
Me gjithë rritjen, Kosova ka pagën minimale më të ulëtën në Evropë.