Ngjarje tragjike në Deçan, një i ri gjendet i vdekur në shtëpinë e djegur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Lloqan të Komunës së Deçanit, ku një i ri është djegur brenda shtëpisë në të cilën ndodhej.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot me datë 17.12.2021, rreth orës 06:35, Policia është i formuar se në fshatin Lloqan-Deçan, një shtëpi është duke u djegur, me të marrë informatën Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vend ngjarje, dhe gjatë intervenimit nga zjarrfikësit është vërejtur se një person është brenda i djegur (karbonizuar), vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente dhe Prokurori i shtetit, me urdhër të Prokurorit trupi i pajetë dërgohet ne institutin e mjekësisë ligjore ne Prishtinë (IML) për obduksion dhe rasti cilësohet si “Hetim i vdekjes”.
Për vdekjen e të riut ka njoftuar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
“I rëndë dhe pikëllues lajmi për ndarjen tragjike nga jeta, e të riut Mentor (Canë) Himaj nga fshati Lloqan komuna e Deçanit. Ngushëlime familjes Himaj, miqve dhe të gjithë qytetarëve të Deçanit!”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.