Nga zyra e Kurtit i përgjigjen Gucatit për rritjen e numrit të veteranëve
Rritja e numrit të veteranëve të luftës së UÇK-së nuk është punë që do të merr fund në një periudhë të shkurtër. Derisa Prokuroria e Shtetit është duke e hetuar fryrjen e listave të veteranëve, në tre mujorin e këtij viti (2020), numri i veteranëve është rritur sërish për së paku 104 persona.
Por rritja e listës edhe me 104 veteranë nuk po dihet se si ka rrjedhur. Të paktën kështu thonë përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, ka fajësuar Qeverinë Kurti për rritjen e këtij numri, për çka ka kërkuar edhe përgjegjësi nga ta.
Mirëpo zyrtarë Qeveria e Kosovës, respektivisht nga zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, thonë se ata vetëm ka implementojnë listatqë ishin miratuar në Qeverinë Haradinaj dhe ato më herët.
Këshilltari politik i kryeministrit dhe njëherit drejtor i Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici në një prononcim për FaktePlus, ka hedhur poshtë pretendimet e Gucatit se Qeveria Kurti ka rritur numrin e veteranëve.
“Ne ato lista të cilat i kemi gjetur të miratuara nga Qeveria Haradinaj, ne ato lista i kemi implementuar. Kjo është puna jonë aktuale. Në Qeverinë Kurti, asnjë veteran i vetëm, asnjë invalid, apo familje e dëshmorëve nuk është e shtuar. Me ato që i kemi gjetur me ato jemi duke punuar”, tha Bici për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Bici ka theksuar se vet Gucati ka qenë anëtar i Komisionit për Njohjen e Statusit të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe se ai mund të ketë informacionet se si është bërë kjo rritje.
“Zotëri Gucati ka qenë anëtar i Komisionit për njohjen e statusit të kategorive të dala nga lufta. Ne vetëm lëshojmë vërtetime në rast se kategoritë e dala nga lufta, veteranë, invalid , familjet e dëshmorëve janë në listat që ne i kemi gjet këtu, dhe ne iu lëshojmë vërtetimet. Këto i di më mirë Gucati dhe anëtarët e Komisionit në të kaluarën. Sigurisht ai e ka atë informacion dhe duhet ta jep. Sepse kam lexuar në procesverbalet në të cilat ka punuar komisioni për njohjen e statusit dhe pjesë e atij komisioni ka qenë edhe Gucati. Ne i kemi gjet të gatshme listat e atij komisioni, ne punojmë me lista”, theksoi Bici.
Megjithëse, Bici tha se sipas Ligjit të gjithë veteranët të cilët eventualisht mbesin pa vend pune, mund të aplikojnë për të përfituar nga paga 170 euro.
“Sa i përket asaj rritjeje, sipas Ligjit të gjithë veteranët të cilët eventualisht mbesin pa vend pune, ata kanë të drejtë të aplikojnë dhe zakonisht këtu është ajo rritja. Në rast se një veteran mbetet pa vend pune, ai ka të drejtë të aplikoj për pagë 170 euro”, tha ai për FaktePlus.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga 38 mijë e 232 veteranë sa ishin duke përfituar pensione në janar të vitit të kaluar, në dhjetor të 2019 mbetën vetëm 38 mijë e 101 përfitues.
Por ky numër është rritur përsëri dhe në tre mujorin e parë të vitit 2020 (janar, shkurt, mars) janë 38 mijë e 205 veteranë që përfitojnë nga skema pensionale.
Që i bie se nga dhjetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti janë shtuar në skemën pensionale për veteranët e UÇK-së edhe 104 persona.
Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thonë se nuk dinë se si tani është rritur numri i veteranëve.
“Ne jemi befasuar me këtë numër, kah është rritur ky numër dhe ka rrjedh ne nuk e dimë. Si do qoftë për ne kjo është e papranueshme që të ketë rritje prapë numri i veteranëve”, ka thënë në një prononcim për FaktePlus kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati.
Edhe pse nuk di gjë si është rritur numri i veteranëve, Gucati e ka hedhur fajin tek Qeveri Kurti për rritjen e fundit.
Ai madje thotë se është e turpshme dhe e papranueshme që me ndërrimin e qeverive dhe për interesa politike po rritet numri i veteranëve.
“Deri kur kështu do të shkojë? Është turp për Qeverinë që sa herë që ndërrohet për interesa të veta politike e fryjnë numrin e veteranëve. Kjo për ne është e papranueshme. Edhe pse nuk e dimë nga ka rrjedh ky numër, mirëpo kjo rrjedhë pikërisht prej qeveritarëve se sa herë ndërrohen qeveritë shkojnë dhe e rritin numrin e veteranëve. Ky numër u rrit në kohën e Qeverisë Kurti. Nuk jam duke e akuzuar Kurtin, por ky është kryeministër dhe këta duhet ta mbajnë përgjegjësinë dhe ata duhet të tregojnë nga u rrit ky numër”, ka thënë Gucati.
Mes tjerash kreu i OVLUÇK-së është shprehur se rritjet e vazhdueshme të numrit të veteranëve që po bëhen po fyejnë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me keqardhje e them, se jo që i dëmton shokët e luftës sepse neve nuk mundet me na dëmtu askush, por e dëmton qytetarin e Kosovës, taksat tona që paguhen dhe është një fyerje për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucati.
Ndërkohë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës meqë nuk ishte futur në pakon emergjente të krijuar për situatën e pandemisë, ka ngrirë çdo kontakt me Qeverinë Kurti.
Madje i pari i OVLUÇK-së i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetohen rritjen e këtij numri të veteranëve.
“Ne me qeverinë i kemi ngrirë marrëdhëniet, nuk kemi raporte me ta. Me zyrën e kryeministrit i kemi ngrirë raportet sepse nuk na kanë marrë parasysh dhe nuk na kanë futur në pakon emergjente. Mirëpo i bëjë thirrje publike Prokurorisë për me pa se kah u rrit ky numër i veteranëve”, potencon Gucati.
Ndryshe, në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas po kësaj prokurorie, numri i përfituesve mashtrues dyshihet të jetë rreth 19 mijë e 500.
Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Sipas Prokurorisë Speciale nga pagesat e veteranëve mashtrues buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh./FaktePlus
Gucati e fajëson Qeverinë Kurti që është shtuar numri i veteranëve