Nga zyra e Borrell tregojnë qëndrimin e Brukselit për reciprocitetin e Kurtit
Për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që po kundërshtojnë reciprocitetin e paralajmëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bashkimin Evropian nuk po shprehen decidivisht kundër. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano thotë se rifillimi i dialogut kërkon besim të plotë mes dy shteteve, e se duhet të hiqet dorë nga veprimet e një anshme si tarifat dhe fushata e njohjeve.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialogun Kosovë – Serbi, nuk ka ende qëndrim të qartë për çështjen e reciprocitetit që u paralajmërua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Derisa kanë bërë thirrje të vazhdueshme për heqje të taksës 100 për qind që u vendos nga qeveria në krye me Ramush Haradinaj, nga BE kanë përsëritur që dialogu të rifillojë sa më parë.
Për këtë është angazhuar edhe SHBA, e presidenti amerikan Donald Trump, që ka emëruar si emisar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell.
Mirëpo, edhe në çështjen e reciprocitetit duket se SHBA dhe Bashkimi Evropian nuk qëndrojnë njëjtë.
Ambasadori Grenell është shprehur në çdo formë kundër reciprocitetit që është paralajmëruar nga qeveria e re.
Në anën tjetër, në BE nuk kanë folur me tone të njëjta. Të pyetur nga për këtë temë, si dhe a e përkrahin reciprocitetin, në Bashkimin Evropian thonë se e rëndësishme është nisja e dialogut, duke e lënë të paqartë qëndrimin e tyre karshi kësaj mase ekonomike, tregtare dhe politike.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaron se dialogu duhet që të rifillojë në besim të plotë midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Së pari, rifillimi i dialogut kërkon besim të plotë midis Beorgadit dhe Prishtinës”, thonë nga BE, teksa, përmendin edhe vizitën e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, Josep Borell.
Ata përsërisin qëndrimet se Kosova duhet të heqë dorë nga tarifa, e se në Serbi duhet të ndalin fushatën për tërheqjen e njohjeve.
“Gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka treguar se veprimet e tilla si tarifat nga Kosova dhe aktivitetet diplomatike nga Serbia kanë krijuar tensione të panevojshme midis Beogradit dhe Prishtinës dhe që të dy palët duhet të kthehen në një situatë ku dialogu është i mundur”, thonë nga Bashkimi Evropian, duke u shprehur se për nisje të bisedimeve, kanë përgjegjësi të dy palët.
“Të dy palët kanë përgjegjësi për të siguruar rifillim sa më të shpejtë të bisedimeve”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në marrëveshjen që ka nënshkruar për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë dakorduar edhe për reciprocitetin e plotë ekonomik, tregtar dhe politik me Serbinë.
Kurti ka bërë të ditur se taksa do të hiqet vetëm pas reciprocitetit, duke shtuar se për këtë kanë filluar që t’i përgatisin doganat në vend.
Taksa 100 për qind kishte qenë edhe arsye e pezullimit të fazës së fundit të dialogut Kosovë – Serbi si përpjekje për arritje të marrëveshjes së paqes për të cilën ishte deklaruar se do të arrihet gjatë këtij viti.
Në Serbi në anën tjetër, kryeministrja e shtetit, Ana Bërnabiq ka kërkuar që taksa të hiqet. E pyetur për reciprocitetin ajo ka thënë se nuk e ka të qartë se për çka po flitet në Kosovë.
Reciprociteti, në të drejtën ndërkombëtare, konsiderohet parim i pranuar në mënyrë universale, ku një shtet miraton një sjellje të caktuar simetrike, si përgjigje ndaj një veprimit të ngjashëm, i cili është miratuar nga shteti tjetër.