Nga Telekomi tregojnë se ku do të shkojnë 10 milionë eurot e ndara nga Qeveria
Qeveria në fund të vitit që sapo lamë pas, ndau 10 milionë euro për Telekomin, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
E pyetur se ku do të shkojnë këto para dhe për çfarë do të shfrytëzohen, ushtruesja e detyrës së kryeshefes së kësaj ndërmarrjeje, Burbuqe Hana, tha se këto para janë destinuar për larjen e borxheve.
Ajo tha se Telekomi ia ka mbi 9.8 milionë euro borxh ARKEP-it dhe se shuma e ndarë nga Qeveria do të përdoret për shlyerjen e këtij borxhi.
“E gjithë vlera është e dedikuar për pagesat e ARKEP-it. Borxhet janë mbledhur, për shkak se nuk janë kryer pagesat për frekuenca. Ne i jemi falënderuar ARKEP-it që nuk na i ka ndalë frekuenca dhe na është gjetur në kohë të vështirë”, tha ajo në konferencën e përbashkët me kryeministrin, ministren e Ekonomisë dhe ministrin e Financave.