Nga taksa, përplasjet, dorëheqjet, zgjedhjet… ja çfarë ndodhi gjatë 2019-tës në politikë
Vënia e taksës 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake nga Qeveria e Kosovës, në fund të vitit 2018, ishin shenjat e para se viti i ri 2019 do të sillte zhvillime të mëdha politike në Kosovë. Pas vetëm disa jave të taksës, nisën të vijnë edhe kërkesa e reagime të shumta nga bashkësia ndërkombëtare në drejtim të ekzekutivit kosovar për heqjen e saj.
Kjo bëri që viti 2019 të nis me raporte të acaruara mes Kosovës dhe partnerëve të Kosovës, shteteve perëndimore, të cilat kërkonin të hiqej taksa apo të pezullohej për disa muaj, në mënyrë që të vazhdonte dialogu me Serbinë.
Raportet u acaruan edhe mes liderëve dhe partive politike në vend, meqë disa kërkonin heqjen e taksës, disa të tjerë pezullimin, e disa tjerë ishin këmbëngulës për mbajtjen e saj, duke përfshirë këtu edhe vete kryeministrin Ramush Haradinaj.
Si pasojë e taksës raportet u tensionuan edhe mes dy liderëve të partive të koalicionit qeverisës, Kadri Veselit të PDK-së dhe Ramush Haradinajt të AAK-së, i cili ishte edhe kryeministër i Kosovës.
Acarimi i raporteve bëri që të thumbonin njëri tjetrin me deklarata në distancë, por që kishte muaj që nuk takoheshin si partnerë qeverisës. Këtë, vetë Haradinaj e ka konfirmuar me vonë.
Madje, Haradinaj zbuloi edhe prapaskena tjera, kur akuzoi liderin e PDK-së Kaderi Veselin e presidentin e vendit Hashim Thaçin për presionin që po ia bënin në takimet me përfaqësuesit e vendeve evropiane e të SHBA-së për heqjen e taksës.
E, acarimi i raporteve mes Haradinajt e Veselit u vërejt qartë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me 17 shkurt, kur pas saj, Haradinaj i mllefosur me fjalimin e Veselit, në një diskutim me deputetët e partisë së tij, kishte thënë “ma qenef mashkull, nuk kam parë”, se ishte kuptuar se ju kishte referuar partnerit të tij të koalicionit.
Megjithatë, përplasjet vazhduar sërish, madje, Haradinajt i doli punë edhe me liderët në Shqipëri që të përplasej. Me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pati përplasje, të ashpra sepse Haradinaj e akuzonte se i bëri presion që ta hiqte taksën dhe ishte pro shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ide kjo e hedhur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kërkesa për heqjen e taksës pati edhe nga diplomatët amerikan, por që nuk u morën parasysh nga kryeministri Haradinaj.
Si pasojë e kësaj Haradinajt për pak kohë iu refuzua viza që të vizitonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, as kjo nuk e zmbrapsi atë në mbajtjen e taksës.
Në anën tjetër pos presionit ndërkombëtarë për heqjen e taksës, opozita në Kosovë kërkonte zgjedhje, pasi akuzonin qeverinë e koalicionit PAN, për keqqeverisje, keqpërdorime, emërime partiake nëpër borde e institucione të pavarura.
Duket se Haradinaj ishte lodhur nga presioni për heqjen apo pezullimin e taksës dhe presioni i opozitës për dorëheqje për shumë skandale të shkaktuara në qeverisjen e tij, kështu në verë kryeministri kishte vendosur të dorëhiqej dhe ta dërgonte vendin në zgjedhje me shpresën se vënia e taksës, themelimi i ushtrisë, ligji për paga e disa vendime tjera, që ai i quante historike, do t’ia rikthenin besimin qytetarët për një mandat të dytë në qeverisje.
Pa paralajmërim, madje as të partnerëve qeverisës, Haradinaj kishte zgjedhur një mbledhje të kabinetit qeveritar që ta njoftonte opinionin se kishte vendosur të jepte dorëheqje nga pozita e kryeministrit.
Shumë kujt iu dukë e pabesueshme arsyeja që e shtyri atë të jepte dorëheqje. Teksa kishin pritur se dorëheqjen do ta jepte pas presioneve për heqjen e taksës dhe shumë skandaleve të shkaktuara, Haradinaj befasoi të gjithë.
Një ftesë e ardhur nga Gjykata Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit e kishte detyruar Haradinajn që të merr vendimin për dorëheqje. Kur prisnin të gjithë që në fund të mbledhjes së kabinetit qeveritar, Haradinaj të deklarohej për zhvillimet politike siç bënte secilën herë, ai ua kumtoi vartësve të tij dhe gjithë qytetarëve vendimin për dorëheqje. Ky lajm shtangu të gjithë, sepse siç u deklaruan më vonë ministrat e Haradinajt, shefi i tyre e kishte mbajtur fshehur këtë vendim deri në momentin e bërjes publike për gjithë qytetarët.
Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj doli në konferencë për media, ku në fytyrën e tij u panë edhe lot, sepse po bëhet hera e dytë që ai po e lë postin e kryeministrit për t’iu përgjigjur drejtësisë.
Dorëheqja e Haradinajt u hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Presidenti Thaçi shpalli zgjedhjet e parakohshme që të mbahen brenda 40 ditëve sipas afateve kushtetuese, ku zgjodhi datën 6 tetor, pas konsultimeve me subjektet politike.
Kësaj radhe partitë e koalicionit qeverisës, PDK, AAK dhe Nisma vendosën që në zgjedhje të garojnë si të vetme.
Ashtu siç edhe pritej, pasi sondazhet tregonin për ndryshim në skenën politike, ashtu edhe ndodhi. Në politikën kosovare ndodhi një rotacion, pasi fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit doli Lëvizja Vetëvendosje që ishte në opozitë, e pas saj doli Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu opozitë e deridjeshme.
Në opozitë pas zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të jenë partitë e ishin mandatin e kaluar në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate. Madje, kjo e fundit mëzi e kaloi pragun, dhe atë vetëm pas rinumërimit të gati 90 për qind të vendvotimeve, sepse me rezultatet preliminare partia e Fatmir Limajt mbeti jashtë Kuvendit.
Mirëpo, edhe pas gati tre muajve që nga mbajtja e zgjedhjeve, partitë fituese ende nuk kanë arritur të formojnë qeverinë, si pasojë e mospajtimeve në zgjedhjen e posteve ministrore dhe pozitave tjera institucionale, siç është posti i presidentit.
Postin e të parit të shtetit po e kërkon me ngulmë LDK-ja, por që fituesja e zgjedhjeve LVV nuk po pranon që në marrëveshjen për koalicion qeverisës të futet edhe presidenti.
Tani kur kemi hyrë në vitin 2020, Kosova mbetet ende pa institucione të formuara./FaktePlus